Mbahen homazhet për Naun Shundin, aktori i njohur përcillet për në banesën e fundit

Këtë të premte te ArTurbina u mbajtën homazhet në nder të aktorit Naun Shundi, i cili u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të vështirë me një sëmundje të rëndë.

Familjarët, miqtë dhe personalitete të artit nderuan për herë të fundit aktorin, regjisorin dhe dramaturgun e njohur shqiptar.

Rea Shundi, vajza e aktorit Naun Shundi foli mes lotësh për gazetarët duke thënë se babai i saj ia kushtoi jetën teatrit, prej të cilit e kishte të pamundur të largohej edhe në ditët më të vështira të sëmundjes.

“Mjekët nuk na e thanë dot që babi do të vdiste, askush nuk na e tha. Ai mendoi se do të jetonte. Babain e hëngri kanceri nga brenda. Babi po përgatitej për një shfaqje, por nuk e përfundoi”- u shpreh ajo për mediat.

I lindur në Tiranë më 1959, Shundi, krijoi rrugën e tij në skenë dhe në kinematografi me mbi 100 role në teatër dhe ka marrë pjesë në mbi 20 filma.

Shundi ka kontribuar edhe në edukimin e brezave të artistëve të rinj ku më 1993 deri në vitin 2000 punoi si pedagog në Akademinë e Arteve.

Në vitin 2022, së bashku me bashkëshorten e tij, Shundi themeloi teatrin privat “Zonja e Bujtinës”.