Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është liruar nga burgu pas dy vitesh izolimi. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme për ‘shpërdorim detyre’ dhe fshehje të pasurisë dhe sipas përllogaritjeve, dënimi i tij tashmë ka përfunduar i gjithi, me 2 vite e 20 ditë burgim.
Më 22 korrik, Jorgo Goro u dënua edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vjet e 20 ditë burg, pasi ishte shpallur fajtor për “shpërdorim detyre” gjatë procedurës së trajtimit të dy pronave mbi të cilat u bë një investim strategjik nga bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi, si edhe për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, për një apartament në emër të një biznesmeni, por që ishte pasuri e fshehur e zyrtarit vendor.
Në të njëjtin vendim, Apeli ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë në lidhje me apartamentin 81 m2 në Tiranë, duke vendosur konfiskimin e tij.
Jorgo Goro u kallëzua nga ish-kandidati i Bashkës Fitojmë për Bashkinë Himarë,Fredi Beleri me pretendimin se i ka dhuruar në vitin 2016 pasuesit të tij të komanduar në krye të Bashkisë, Arqile Bollanos një sipërfaqe toke prej 4263 metrash.
Nga hetimet ka rezultuar se kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme, pasi Bollano kishte përfituar më parë një sipërfaqe prej 7700 metra katrorë tokë në bazë të ligjit 7501.
Ish-kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, nuk mund të ushtrojë funsione publike në pesë vitet e ardhshme.