Berisha thotë JO! Kush pritet të drejtojë seancën e parë të Kuvendit në shtator

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për mediat se nuk do të hap seancën plenare të 10 shtatorit, si deputeti më i vjetër në Kuvend.

Ai u tregua i prerë duke thënë se nuk mund të hap atë që ai e cilëson si një parlament jo legjitim, për shkak se PD nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit, ku Partia Socialiste fitoi 83 mandate.

“Një parlament jo legjitim nuk mund ta hap kurrë. Nuk mund t’i bëj vendit tim një antishërbim të tillë. Harrojeni! Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja. Por ky është një parlament jo legjitim, nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Rekomandimi i Këshillit të Evropës thotë se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti, kjo mjafton. Si mund ta hap unë atë? Si mund t’ia lejoj vetes të ulem aty? Kurrë”, tha kreu i PD.

Kujtojmë se sipas Nenit 5 të Rregullores, seancën e parë e drejton deputeti më i vjetër në moshë. I pari në listë është Sali Berisha, i cili e refuzoi dhe vendimin e tij e bëri publik. Pas tij vjen demokrati Tritan Shehu. Nëse edhe ky i fundit heq dorë, drejtimi i kalon deputetit socialist, Vasil Llajo.

Pas hapjes, Kuvendi nis verifikimin e mandateve dhe më pas 140 deputetët e rinj do të bëjnë betimin.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit la në pushtet sërish Partinë Socialiste, me 83 mandate të fituara. Partia Demokratike mori 50 mandate. Partia Socialdemokrate fitoi tre mandate, ndërsa dy i mori Partia “Mundësia”. Nga një mandat morën “Lëvizja Bashkë” dhe Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.