Agron Shehaj: Koncesioni i Rinasit, aferë korrupsioni prej 300 milionë eurosh

Deputeti demokrat Agron Shehaj ka akuzuar kryeministrin Rama se me zgjatjen e afatit të koncensionit të Rinasit me 12 vite, i ka “dhuruar” firmës Kastrati 300 milionë euro nga arka e shtetit.

Në denoncimin e tij, Shehaj thotë se vetëm në vitin 2022 aeroporti i Rinasit ka gjeneruar 31 milionë euro fitim, teksa shton se kjo nuk është thjesht një vjedhje e të ardhurave të shtetit por parapërgatitje për blerjen e zgjedhjeve të ardhshme nëpërmjet financimit të mediave, blerjes së votave dhe favoreve elektorale.

Sipas tij, kjo aferë korruptive është një shembull konkret që tregon se pari që korrupsioni drejtohet nga kryeministri dhe ai është përfituesi kryesor.

Postimi i plotë i Agron Shehaj:

Aeroporti i Rinasit është një nga pasuritë kombëtare që vetëm në 2022 ka gjeneruar 31 milionë euro fitim.

Kur Rama zgjati afatin e koncesionit me 12 vjet, praktikisht falas dhe pa garë, në thelb transferoi nga arkat e shtetit te Kastrati të paktën 300 milionë euro.

Si shumë afera korruptive të tjera, kjo nuk është thjesht një vjedhje e të ardhurave të shtetit por parapërgatitje për blerjen e zgjedhjeve të ardhshme nëpërmjet financimit të mediave, blerjes së votave dhe favoreve elektorale.

Ky është modeli nëpërmjet të cilit Rama është rizgjedhur 2 herë kryeminister dhe synon të rizgjidhet edhe në të ardhmen.

Kjo aferë korruptive është një shembull konkret që tregon se pari që korrupsioni drejtohet nga kryeministri dhe ai është përfituesi kryesor dhe së dyti që korrupsioni jo vetëm varfëron çdo shqiptar, por ju heq atyre mundësinë për të zgjedhur një alternativë.