Është qetësuar situata në Gramsh ku prej tre ditësh disa fshatra kanë luftuar me flakët ndërsa humbi jetën edhe një 80 vjeçar.
Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Megjithatë raportohet për disa vatra te reja zjarri.
Mësohet se banorët e zonave që kanë përjetuar momente të vështira përgjatë këtyre tee ditëve kanë filluar të kthehen në banesat e tyre.
Për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie, autoritetet kanë filluar që dje procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar është në terren, duke hartuar procesverbalet përkatëse për dokumentimin e dëmeve.
Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra janë prekur nga flakët në territorin e Gramshit, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj nuk ka mbetur asgjë pas.
Autoritetet lokale dhe qendrore apeluan për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga banorët, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës.