Shqipëria në luftë me zjarrin! Delvina dhe Gramshi në situata kritike, flakët rrezikojnë edhe Gjirokastrën

Prej 48 orësh vendi ynë vijon betejën me flakët e zjarrit, që janë përhapur në disa zona dhe po djegin çfarë gjejnë përpara.

Situata kritike mbetet në Gramsh dhe Delvinë, ku janë djegur disa shtëpi, teksa fatkeqësisht ka humbur jetën edhe 1 person.

Në Delvinë zjarret vijojnë të përhapen në kodrat e qytetit, teksa as ndërhyrja e helikopterëve nuk po mund t’i shuajë. Në fshatin Kasapaj banorët e zonës janë evakuuar plotësisht, ndërkohë që flakët kanë rrezikuar edhe puset e gazit në atë zonë.

Ndërkohë, situatë kritike paraqitet edhe në Gramsh, ku Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar evakuimin e plotë të banorëve të fshatit Nartë, pasi flakët po përhapen me shpejtësi.

Në këtë zonë po punojnë 3 helikopterë për shuarjen e flakëve, teksa edhe në fshatin Menkollarë situata duket shumë e rëndë. Në Gramsh, sipas të dhënave zyrtare rezultojnë të jenë djegur 39 banesa.

Flakët që nisën nga Delvina po rrezikojnë edhe Gjirokastrën, pasi mali i Sopotit tashmë është nën pushtetin e zjarrit. Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, që vijojnë të përhapen me shpejtësi.