Debati për zjarret në Shqipëri, Rama justifikon mungesën e avionëve zjarrfikës: Po vendet e rajonit që po përcëllohen?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debateve lidhur me zjarret që kanë përfshirë vendin dhe mungesën e avionëve zjarrfikës.

Rama thotë se nuk është çështje avionësh dhe shtob se edhe fqinjët tanë, si Greqia apo Italia janë në vështirësi nga zjarret, edhe pse kanë një flotë ajrore shumë herë më të madhe se Shqipëria.

Sipas Ramës, Shqipëria ka sot më shumë mjete ajrore se çdo vit tjetër, falë flotës së vet dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Postimi i Ramës:

Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…

Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!

Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.

Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.