Vatikani ndodhet sërish në qendër të vëmendjes pas akuzave të rënda për manipulim të transaksioneve bankare me qëllim fshehjen e identitetit të dërguesve dhe marrësve të fondeve, një praktikë që mund të ketë lehtësuar pastrimin e parave në shkallë të gjerë.
Ish-auditori i lartë financiar i Vatikanit, Libero Milone, pretendon se agjencia e pagave e qytet-shtetit ka pasur mundësi të ndryshojë emrat dhe numrat e llogarive bankare në sistemin ndërkombëtar të transferimeve SWIFT, edhe pasi transaksionet ishin ekzekutuar. Sipas tij, kjo e ashtuquajtur “çelës skeletik” për pastrimin e parave, u përdor për të maskuar dërgimin e fondeve drejt klientëve privatë.
Milone, i cili u emërua në detyrë në vitin 2015 për të reformuar financat e Vatikanit, u detyrua të largohej në 2017, pasi u akuzua se ishte “spiun”. Ai thotë se në të vërtetë u largua pasi kishte zbuluar parregullsi të rënda që lidhen me ish-kardinalin Giovanni Angelo Becciu, i cili u dënua për keqpërdorim fondesh në vitin 2023.
Në një konferencë për shtyp së fundmi, Milone konfirmoi se kishte në posedim dokumente që provonin aftësinë për të modifikuar transaksione, por nuk publikoi prova të tjera, duke deklaruar se “nuk po përpiqet të shantazhojë askënd”.
Vatikani i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur “tërësisht të pabazuara”. Një zëdhënës theksoi se agjencia e pagave nuk ka punuar me klientë privatë në kohën kur pretendohet të jenë kryer këto veprime dhe se auditimet e viteve të fundit nuk kanë zbuluar asnjë parregullsi.
Megjithatë, këto akuza vijnë në një moment të ndjeshëm për Papën e ri, Leo XIV, i cili është përballur me sfida serioze për të rikthyer besimin në administrimin financiar të Kishës Katolike, pas dekadash skandalesh dhe mungese transparence.
Skandalet financiare që lidhen me Vatikanin nuk janë të reja. Që nga vitet 1980 e në vazhdim, janë dokumentuar akuza për pastrim parash, afera investimesh të dështuara dhe lidhje me figura kontroverse financiare e politike.
Nëse akuzat e reja vërtetohen, ato mund të shkaktojnë pasoja të rënda, përfshirë izolimin financiar të Vatikanit në arenën ndërkombëtare dhe vendosjen e tij në listat e zeza të institucionet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave.