Vriten 5 gazetarë të Al Jazeera-s nga një sulm izraelit në Gaza

Pesë gazetarë që punonin për Al Jazeera në Gaza janë vrarë në një sulm izraelit, pranë spitalit Al-Shifa të qytetit të Gazës.

Midis të vrarëve ishte edhe korrespondent i profilit të lartë Anas al-Sharif, të cilin Izraeli e ka akuzuar si anëtar të Hamasit.

Al Jazeera thotë se vrasja e stafit të tyre, përfshirë një korrespondent tjetër dhe tre operatorë kamerash, ishte “një tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”.

Redaktori i përgjithshëm i Al Jazeera-s, Mohamed Moawad, tha se al-Sharif ishte “i vetmi zë” që i tregonte botës zhvillimet nga brenda Gazës. “Ata u shënjestruan në tendën e tyre, jo në vijën e frontit”, u shpreh ai, duke akuzuar Izraelin se po përpiqet të heshtë raportimet nga territori.

Vdekja e tyre vjen në një periudhë kur gazetarët në Gaza po përballen me kushte ekstreme dhe janë shpesh në vijën e parë të luftimeve, duke u bërë viktima të një konflikti që ka marrë qindra jetë civilësh.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), nga tetori i vitit 2023 deri më sot, në Gaza janë vrarë 186 gazetarë. Organizata ka kritikuar autoritetet izraelite për mungesë provash që mbështesin akuzat se reporterët e vrarë ishin pjesë e grupeve militante