Kabineti i sigurisë i Izraelit miraton planin e Netanjahut për pushtimin e Gazës, banorët kohë deri më 7 tetor të evakuohen

Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e Kryeministrit Benjamin Netanyahu për të pushtuar qytetin e Gazës, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për një krizë humanitare të përkeqësuar dhe kundërshtimeve të brendshme publike ndaj operacionit.

Në një deklaratë të publikuar të premten nga Zyra e Kryeministrit, thuhet: “Kabineti i Sigurisë ka miratuar propozimin e Kryeministrit për mposhtjen e Hamasit.”

“Kabineti Politik dhe i Sigurisë miratoi propozimin e kryeministrit për mposhtjen e Hamasit. IDF do të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit. Një shumicë absolute e ministrave të kabinetit besonin se plani alternativ i paraqitur nuk do të çonte as në mposhtjen e Hamasit dhe as në kthimin e pengjeve”, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu

Sipas planit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) do të përgatiten për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ndërkohë që do të mundësojnë ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimeve.

Nuk ka ende një datë për nisjen e këtij pushtimi dhe as detaje nga operacioni, por dje IDF nisi lajmërimin e banorëve të Gazës veriore që të largoheshin në jug.

Pas vendimit të Kabinetit të Sigurisë, një zyrtar i lartë izraelit theksoi se:

“Operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me Qytetin e Gazës: qëllimi është evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025 (përvjetori i dytë i masakrës së Hamasit në Izraelin jugor). Do të vendoset një rrethim mbi terroristët e mbetur në zonë dhe ndërkohë, ushtria do të manovrojë brenda qytetit”.

E teksa kabineti izraelit miratonte planin për pushtim, katër persona të tjerë kanë ndërruar jetë nga uria në Gaza, duke e çuar në 197 numrin e të vdekurve si pasojë e rrethimit izraelit, përfshirë 96 fëmijë.