Tesla i jep Elon Musk 29 miliardë dollarë në aksione për ta mbajtur në kompani

Tesla ka miratuar një paketë të re shpërblimi për CEO-n e saj, Elon Musk, në vlerë prej 29 miliardë dollarësh në formën e aksioneve, në përpjekje për ta mbajtur atë në krye të kompanisë në një moment kritik për të ardhmen e saj.

Vendimi vjen pasi një gjykatë në Delaware anuloi paketën e mëparshme të pagesës së Musk prej 56 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2018, duke e konsideruar si “të padrejtë për aksionarët”. Musk është në proces apelimi ndaj kësaj vendimi dhe, sipas Tesla-s, aksionet e reja janë menduar për ta motivuar atë të qëndrojë në kompani, sidomos në kohën kur “lufta për talent në fushën e inteligjencës artificiale po intensifikohet”.

Kjo lëvizje gjithashtu pritet të rrisë fuqinë votuese të Musk në bordin e Tesla-s. Kompania e përshkruan atë si një lider të pazëvendësueshëm me përvojë të jashtëzakonshme dhe rezultate të dëshmuara në ndërtimin e bizneseve revolucionare dhe fitimprurëse.

Në rast se gjykata e Delaware rikthen paketën e vitit 2018, Musk do të heqë dorë nga aksionet e reja për të shmangur përfitimin e dyfishtë. Megjithatë, Tesla shpreson që gjykata të miratojë përsëri marrëveshjen e mëparshme, e cila është konsideruar si marrëveshja më e madhe e kompensimit në historinë e korporatave amerikane.

Musk, i cili drejton gjithashtu kompani si xAI, Neuralink dhe The Boring Company, është përfshirë më pak në çështje politike kohët e fundit, pasi njoftoi tërheqjen nga roli i këshilltarit të Donald Trump. Tesla thotë se prania e tij është thelbësore në një moment kur kompania po transformohet nga një prodhues makinash elektrike në një lider në fushat e AI dhe robotikës.