Në një vend ku paraja në dorë është mbret, ambicia e Kryeministrit Edi Rama për ta bërë Shqipërinë të heqë dorë nga ajo deri në vitin 2030 do të përmbyste tërësisht mënyrën se si funksionon shoqëria.
Prej vitesh, shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë paratë nën dyshek, pranë kallashit të tyre, siç e thotë shakaja popullore, sesa në banka. Por, nëse Rama arrin ta realizojë planin e tij, Shqipëria do të bëhej ekonomia e parë në botë që funksionon pa para fizike.
Një nga arsyet kryesore për këtë synim është fakti që një pjesë e madhe e transaksioneve ndodhin “nën dorë”. Sipas profesor Selami Xhepës nga Universiteti i Tiranës, eliminimi i parasë fizike “është një përparësi absolute për vendet me nivel të lartë informaliteti dhe me sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar.”
Problemi është se as sistemi bankar dhe as vetë shoqëria nuk janë ende të përgatitur për këtë hap.
Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet jashtë sistemit bankar, duke fshehur kartëmonedhat dhe duke insistuar në pagesa me para në dorë sa herë është e mundur.
Madje edhe në udhëzuesit turistikë për Shqipërinë, këshilla më e zakonshme për vizitorët është: “Para në dorë është mbret.” Megjithëse shumica e dyqaneve të mëdha apo restoranteve të njohura pranojnë karta, shumë kafene, sallone bukurie, butikë, kompani telefonie dhe dyqane ushqimore nuk i pranojnë.
Në një dyqan rrobash në qendër të Tiranës, kur një gazetare e POLITICO tentoi të paguante me kartë dixhitale, shitësja u hutua dhe e pyeti: “Cash?”
E njëjta situatë u përsërit edhe në një taksi dhe në autobus, ku konduktori tha me zë të lartë: “40 lekë!”
Qeveria e qendrës së majtë synon të çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkruan si një “ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën pa përmendur humbjen e të ardhurave nga taksat.
Vlerësimet sugjerojnë se ekonomia gri — ajo pjesë e ekonomisë që nuk përfshihet në statistikat zyrtare , përbën 29 deri në 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, tha për POLITICO se qeveria dhe institucionet janë duke hartuar një plan për të hapur rrugën drejt ekonomisë pa para fizike, me hapat e ardhshëm që përfshijnë vendosjen e një kufiri për blerjet me para në dorë, integrimin në sistemin SEPA të pagesave të Bashkimit Evropian deri në tetor, dhe zbatimin e menjëhershëm të pagesave SEPA pas kësaj.
Trauma nga bankat
Një nga pengesat kryesore është se shqiptarët thjesht nuk i besojnë bankave. Një sondazh i fundit i Shoqatës së Bankave tregoi se vetëm 34 për qind e popullsisë ka besim tek to. Banka Botërore raporton se më pak se gjysma e shqiptarëve kanë llogari bankare.
Banka e Shqipërisë pretendon se 78 për qind e qytetarëve “kanë akses” në një llogari bankare, më pak se mesatarja evropiane prej 96 për qind.
Por jo të gjithë janë të bindur për këtë plan. Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike dhe ish-zëvendëskryeministër, tha për POLITICO se përpjekja për të mbyllur zonat gri të ekonomisë duke ndaluar paranë fizike ishte “si të vrasësh pulat me artileri”. Ai e quajti këtë ide një “sulm ndaj lirisë personale të mbajtësve të ligjshëm të kartëmonedhave.”
Ai pranoi se bankat shqiptare janë “të ngathta dhe të shtrenjta”, por beson se rregullimi më i zgjuar dhe konkurrenca nga platformat e parasë dixhitale dhe kriptovalutat do të ishin rrugë më e mirë sesa ndalimi i parasë fizike. Ai nuk besonte se një shoqëri pa para do të reduktonte pastrimin e parave.
Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Mundësia, Erald Kapri, deklaroi se kishte dyshime se pas kësaj iniciative fshiheshin motive politike. “Është thjesht një nga idetë e Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të shpërqendruar opinionin publik nga problemet reale të vendit, si korrupsioni apo kostoja e lartë e jetesës,” tha ai.
Trauma pas komunizmit
Shumë vende të zhvilluara si Suedia, Estonia dhe Irlanda po synojnë të bëhen gjithnjë e më pak të varura nga paraja fizike. Por Shqipëria është një rast tjetër, dhe skepticizmi publik është i justifikuar.
Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me “kompanitë e investimeve”, filluan të ofronin norma joreale interesi deri në 19 për qind për depozita.
Këto skema financiare u shumëfishuan shpejt, dhe në kulmin e “etheve piramidale”, një në gjashtë shqiptarë kishte investuar në to, shpesh kursimet e jetës. Investitorët e parë morën shpërblime bujare, por ato u bënë gjithnjë e më të rralla derisa sistemi u shemb.
Në janar 1997, firmat filluan të falimentonin, çka solli panik dhe tërheqje masive të fondeve. Brenda pak muajsh, vendi ra në kaos. Ushtarë dhe policë braktisën postet, ndërsa qytetarë të zemëruar dhe pa para akuzuan qeverinë për dështim apo bashkëpunim me skemat mashtruese.
Rreth 2,000 vetë u vranë gjatë përplasjeve mes qytetarëve dhe autoriteteve apo mes bandave të armatosura që grabitën më shumë se një milion armë nga depot shtetërore. Humbja totale financiare llogaritet në rreth 1.2 miliardë dollarë, gjysma e PBB-së së kohës.
Kjo periudhë shkaktoi valë emigrimi, e ktheu vendin shumë vite pas në zhvillim dhe i shkuli qytetarëve besimin tek bankat dhe shteti.
Banka të shtrenjta dhe të paefektshme
Gjatë gati tri dekadave të fundit, bankat nuk kanë arritur të rindërtojnë besimin e publikut.
Sipas profesor Xhepës, një nga problemet kryesore është se bankat nuk ofrojnë përfitime dhe janë të kushtueshme. Kjo i dekurajon njerëzit të hapin llogari ose të përdorin karta dhe transferta dixhitale.
Shumica e bankave “kanë ruajtur norma diskriminuese interesi,” thotë ai. “Të larta për kreditë dhe shumë të ulëta për kursimet.” Ai shton gjithashtu se “pagesat ndërkombëtare janë të shtrenjta, duke dekurajuar emigrantët të dërgojnë para në Shqipëri.”
Pagesat dixhitale brenda vendit, nga një bankë te tjetra, kanë komisione të larta (për shembull, dërgimi i 500 eurove i kushtoi gazetarit të POLITICO deri në 50 euro), ndërsa kursi i këmbimit të lekut me euron është shpesh jo konkurrues.
Për më tepër, bizneset shpesh refuzojnë pagesat me kartë për shkak të komisioneve që arrijnë deri në 3.5 për qind për transaksion.
Brumbulli tha se disa biznese madje i ngarkojnë konsumatorët me një tarifë shtesë nëse paguajnë me kartë. Kjo u mundëson bizneseve të shmangin taksat, pasi pagesat cash shpesh nuk regjistrohen.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nuk pranoi të komentojë.
Ndërsa ambicia për një Shqipëri pa para fizike deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi varet nga ndërtimi i një infrastrukture të lirë dhe të thjeshtë për pagesat dixhitale, potencialisht përfshirë një valutë dixhitale të Bankës së Shqipërisë apo një platformë kombëtare pagesash të menjëhershme.
Edhe pse Banka e Shqipërisë ka studiuar mundësinë e monedhave dixhitale dhe “stablecoins”, një formë e kriptomonedhave, ende nuk ekziston një plan zyrtar. Pa një rrugë të qartë për këtë, plani i Ramës rrezikon të mbetet vetëm një aspiratë./Politico
Përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari
Titulli është redaksional, titulli origjinal i artikullit është ky: Lideri i Shqipërisë shtyn përpara ëndrrën e shoqërisë së parë pa para në dorë