Berisha bën deklaratën e fortë për Veliajn: E kanë keqtrajtuar, një biznesmen i klanit Troplini i tha “po fole e pëson gruaja dhe fëmija”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot në SPAK per zbatimin e masës “detyrim paraqitje” që GJKKO ka caktuar ndaj tij.

Para dyerve të SPAK, Berisha u ndal në një komunikim për gazetarët duke bërë një deklaratë të fortë në lidhje me kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej disa muajsh. Sipas Berishës, Veliaj është keqtrajtuar në paraburgimin e Durrësit, ndërsa vlerësoi që Avokati i Popullit ka nisur hetimet lidhur me këtë pretendim.

Madje sipas Berishës, ai është kërcënuar që të mos flas pasi në të kundërt e pëson familja e tij.

“Për Erion Veliajn, dëshmitarët thanë pasi kanë kaluar në zyrën e Ramës kanë bërë dëshmira të cilat faktojnë për mua të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë. Megjithatë cdo njeri i padënuar dhe i dënuar, ka një paketë të drejtash që duhet ti respektohen. Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Unë për Veliajn kam konsideratën më të keqe, por të drejtat e tij nuk përcaktohen nga vullneti im, të drejtat e tij janë të garantuara me Kushtetutë. Të marrë zyra e Ramës dhe të botojë statuse të pashkruara nga Erion Veliaj…mund të ketë ndodhur në kohën e sigurimit të shtetit. Ça nevojë kishte të shkruante statuse që Olsi Dado është i tillë dhe i atillë, në një kohë kur ai ishte i zhytur, Paratë dilnin si nga qelli tek Velica. Çfarë nevojë kishte ta bënte këtë? Jua them unë, kishte nevojë se Rama donte me cdo kusht të zemëronte gjykatësit dhe prokurorët me të dhe ta mbante aty ku është. Kjo është tepër e dënueshme. Është vepër penale.

Thuhet që e kanë keqtrajtuar. Vizita e Ulsi Manjës, në këtë vizitë Ulsi Manja është shoqëruar nga një biznesmen, i cili ka qenë përfaqësues i klanit Troplini. Të cilët i japin ultimatum, që po fole këto pëson gruaja, fëmijët etij. Edhe ky është një akt i papranueshëm. Më vjen mirë që avokati i  popullit është marrë dhe po merret, por unë i kërkoj të shkojë nëpër burgje dhe të shohë një tmerr të pafund”- tha Berisha për gazetarët.