Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se shqiptarët po rrisin pronësinë e makinave personale për përdorim. Kështu, gjatë vitit të kaluar, Shqipëria shënoi 639.379 autovetura, ose sa 232 autovetura në 1 mijë banorë. Kjo shifër është rritur me 20 autovetura më shumë për 1 mijë banorë krahasuar me vitin 2021.
Por këto të dhëna tregojnë se trafiku do të jetë një sfidë e madhe për Shqipërinë në vitet e ardhshme. Me kaq automjete, duke llogaritur edhe vizitorët, rrjeti rrugor është ezauruar pothuaj tërësisht. Radhët kilometrike duken veçanërisht në sezonin turisnik, si këto ditë të nxehta gushti. Nga ana tjetër, Tirana është një qytet i paralizuar nga trafiku. Shqiptarët përdorin ende më pak automejte se mesatarja e BE. Në Bashkimin Europian, mesatarja është 530 makina për 1 mijë banorë, ç’ka sugjeron se në Shqipëri do të rritet më tej përdorimi i autoveturave.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se flota e makinave në Shqipëri po përmirësohet por sërish është larg vendeve të BE. Gjithashtu, shqiptarët po përdorin makina gjithnjë e më ekonomike dhe me çmim të volitshme. Volkswagen përdoret 18 % nga shqiptarët, e ndjekur nga Benzi me 16.5, e më pas ndjekur nga Chrysler, Ford, Opel, Audi, fiat, Toyota, etj. Duket se makinat gjermane janë mbreti I rrugëve shqiptare.