Trafikimi i votave, KAS i kërkon KQZ-së të hetojë numëruesit

Në përfundim të procesit të rinumërimit të votave në 4 qarqet e vendit, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i kërkon Ilirjan Celibashit të nisë hetim administrativ për numëruesit që kanë tjetërsuar votën e qytetarëve.

Në letrën e dërguar KQZ, KAS nënvizon se rinumërimi provoi në disa raste mospërputhje të theksuara votash, të cilat duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ që për disa raste tregojnë se ka tjetërsim të rezultatit të votave.

“Rinumërimi i votave provoi në disa raste mospërputhje të theksuara votash, të cilat duhet të hetohen në një proces të mëtejshëm administrativ nga ana juaj për të identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Mospërputhjet janë të tilla që tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve, për raste të posaçme, ka tjetërsim të rezultatit të votave”, thuhet në letrën që KAS i ka dërguar Komisionerit Celibashi.

Sipas anëtarëve të KAS, hetimi administrativ është i rëndësishëm për të evidentuar së në cilat raste bëhët fjalë për gabim njerëzor gjatë numërimit apo veprime të qëllimshme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

“Ky hetim administrativ ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet kur formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrënë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim,” thekson KAS në dokument.