“Berisha nuk është më figurë aktive politike”, kompania lobuese e kontraktuar nga PD letër DASH: Hiqjani statusin “non grata”

Kompania lobuese e kontraktuar nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare të 11 majit i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) heqjen e “non gratës” për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në një dokument, i cili përbëhet prej 23 faqesh, kompania thotë se shpallja e “non gratës” ka qenë vendim i motivuar politikisht pa asnjë bazë faktike.

Kompania “Continental Strategy” thekson se “Berisha nuk është më një figurë aktive politike” dhe heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon.

“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një “shtet-narkotik”. Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon”, thuhet në letrën e kompanisë.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi më 19 maj 2021 ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, për shkak të “akteve të rënda të korrupsionit” dhe “minimit të demokracisë”.

Ish-sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vendosi t’i ndalojë hyrjet Berishës në SHBA, si një ish-zyrtar i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë, me “veprime korruptive, si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë”.