Kanë kaluar 2 vite nga bllokimi i fondeve të IPARD III, por edhe pse dihet kush i ka marrë dhe kush i ka dhënë fondet e BE-së te miqtë e pushtetit, ende nuk kemi asnjë person të vënë para drejtësisë.
Por ata që dëmtohen nga bllokimi i fondeve janë fermerët, të cilët do të vijojnë të mos mbështeten për të tretin vit radhazi nga fondet e Bashkimit Europian. Kjo është ajo që thotë një zyrtar i Komisionit Europian për Report Tv, i cili deklaroi se financimi për bujqësinë nuk do të hapet.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigje.
Për Komisionin Europian, Shqipëria duhet ta marrë seriozisht këtë çështje, pasi bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve të Bashkimit Europian.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka vënë në dijeni Komisionin Europian se po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II, por deri më tani nuk dihet se në çfarë faze është ky auditim, ndërkohë që gjithçka është bërë më se e qartë edhe në media se cilët janë përgjegjësit.
“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Evropian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE në përgjigje.
Kujtojmë se Komisioni Europian ndërpreu fondet e IPARD III pasi Zyra europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) gjeti keqpërdorimeve të fondeve të IPARD II. Fondet e dhëna për fermerët shkuan në xhepat e miqve të politikës, të cilët ndërtuan vila e biznese të ndryshme.
Sot bujqësia shqiptare është në pikën e saj më të ulët, për shkak të mbështetjes shumë të vogël nga Ministria e Bujqësisë, por edhe nga mungesa e fondeve që vijnë nga Bashkimi Europian. Premtimi i kryeministrit Rama për 1 miliard euro eksporte është një ëndërr që vështirë se do të bëhet realitet gjatë kohës që ai do të jetë në pushtet.