Temperatura deri në 43 gradë, MM apel qytetarëve për kujdes: Pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit

Kjo e shtunë është një nga ditët më të nxehta ku temperaturat në vend do të arrijnë deri në 43 Gradë Celsius.

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim zyrtar duke kërkuar nga qytetarët që të bëjnë kujdes, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura, si edhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te autoritetet.

Gjithashtu theksoi se ditën e sotme pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.

“Ministria e Mbrojtjes njofton se, sipas të dhënave të raportuara në Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile IGJEUM dhe Qendrën e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), në datën 26 Korrik pritet rrezik maksimal për zjarre në të gjitha qarqet e vendit.

Komiteti i Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të rrisin gatishmërinë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, ndërsa qytetarët i ftojmë të tregojnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë te autoritetet”, njofton Ministria.