Anthony J. Constantini për Brussels Signal
Parlamenti i Ukrainës shkaktoi shqetësim në Bruksel këtë javë pas miratimit të një projektligji që do të hiqte pavarësinë e dy institucioneve kryesore kundër korrupsionit – Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit Special Kundër Korrupsionit – duke i vendosur ato nën kontrollin e drejtpërdrejtë të një funksioni të emëruar nga Presidenti. Kjo lëvizje tronditi zyrtarët evropianë, me një përfaqësues që e quajti miratimin e projektligjit “një hap serioz pas”. Zëra nga brenda Ukrainës, si gazeta Kyiv Independent, e përshkruan aktin si “shkatërrim të pavarësisë” së hetuesve. Megjithatë, Presidenti Volodymyr Zelensky e nënshkroi projektligjin po atë ditë, i cili ishte iniciuar dhe kaluar kryesisht nga partia e tij, Shërbëtori i Popullit.
Në pamje të parë, nga një perspektivë populiste e djathtë, projektligji – jashtë kontekstit – mund të duket i pranueshëm dhe madje i mbështetshëm. Në fund të fundit, agjencitë “të pavarura” shpesh janë përdorur nga elitat evropiane për të sabotuar lëvizjet populiste. Kryeministri sllovak Robert Fico, për shembull, me të drejtë shkarkoi prokurorin special “të pavarur” Daniel Lipšic, i cili ishte emëruar nga kundërshtarët e tij politikë, thuajse në mënyrë eksplicite për ta hetuar atë dhe partinë e tij – ndërkohë që kishte një histori të gjatë antagonizmi ndaj Ficos në dhe jashtë qeverive të mëparshme. Edhe ish-kancelari austriak Sebastian Kurz është përballur me ndjekje penale të dyshimta nga institucione “të pavarura” gjyqësore.
Ka një argument të fortë se vetë ideja e agjencive “të pavarura”, të financuara nga buxheti shtetëror (pra, nga taksat e qytetarëve), por që nuk i përgjigjen askujt, është jodemokratike. Këto agjenci shpesh hapin hetime të shumta, nxjerrin informacione “të nxehta” në publik, dhe – si në Austri e jo vetëm – i mbyllin ato pas disa vitesh pa ngritur asnjë akuzë, duke dëmtuar reputacionin e politikanëve të përfshirë.
NABU, për më tepër, as nuk ka të drejtë të nisë hetime penale – ajo mund t’i referojë çështjet vetëm tek ministria e drejtësisë. Në njëfarë mënyre kjo e bën më të rrezikshme, pasi mund të përhapë dyshime dhe akuza për sa kohë të dojë, pa asnjë mekanizëm kontrolli.
Problemi është se Zelensky nuk është president i sapozgjedhur. Kur Fico eliminoi pozitën e prokurorit special, ai veproi brenda një viti nga marrja e detyrës, sepse Lipšic ishte qartazi i njëanshëm. Por Zelensky është në pushtet që nga viti 2019 dhe ka pasur shumicë të madhe në parlament për thuajse gjithë kohën. Po, është e kuptueshme që u përqendrua në përshkallëzimin e luftës ruso-ukrainase në 2022, por kishte pothuajse tre vite më parë për të bërë këto ndryshime nëse e gjykonte të nevojshme. Nëse NABU drejtohej nga persona kundër tij apo partisë së tij, ai kishte kohë të mjaftueshme për ta reformuar.
Për më tepër, mënyra sesi kaloi projektligji – duke shtuar dispozitat që i heqin pavarësinë NABU-së në një ligj pa lidhje për personat e zhdukur – u duk si një përpjekje për ta fshehur deri në momentin që ishte shumë vonë që shoqëria civile apo aleatët e jashtëm të reagonin.
Bashkimi Evropian nënkuptoi se ky ligj mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e anëtarësimit të Ukrainës – një objektiv që Zelensky e ka përmendur shpesh si jetik për të ardhmen e vendit.
Pse atëherë tani, pas më shumë se gjashtë vitesh në pushtet? Zelensky tha se kjo ishte e nevojshme për të ecur përpara “pa ndikim rus”, dhe një ditë para votimit, agjentë të qeverisë arrestuan një individ që thuhet se ishte spiun rus, i lidhur me NABU-në. Por bastisja ishte e gjerë dhe përfshinte shumë punonjës të agjencisë – disa prej të cilëve, sipas NABU-së, kishin qenë thjesht të përfshirë në aksidente trafiku.
Të justifikosh një operacion të tillë me aksidente trafiku është e dyshimtë. Po aq dyshuese është edhe pretendimi se ndikimi rus ishte arsyeja e kësaj lëvizjeje. Nëse kishte spiunë rusë brenda NABU-së, ata mund të arrestoheshin edhe pa e vendosur agjencinë nën kontroll presidencial.
Pa dyshim që gjatë konfliktit, Zelensky ka përqendruar shumë pushtet në duart e tij. Kjo u tolerua në emër të luftës. Por tani që lufta po zgjatet pa ndonjë fitore të qartë – madje, me gjasë drejt një humbjeje – veprimet si ky ligj apo edhe ndryshimet e fundit në kabinet tregojnë përgatitje për çfarë vjen më pas.
Arsyeja më e besueshme është edhe ajo më shqetësuese: që Zelensky, apo dikush brenda qeverisë së tij, ka frikë nga ajo që NABU mund të zbulojë – qoftë për veprime aktuale, qoftë për planet e ardhshme.
Kjo jo vetëm që u jep të drejtë kritikëve të tij afatgjatë, por duhet të shqetësojë edhe aleatët perëndimorë, të cilët shpesh kanë mbyllur sytë ndaj disa veprimeve të tij më autoritare. Krijimi i NABU-së ka qenë një ndër kushtet kyçe të BE-së për afrimin e Ukrainës me Evropën. A janë gati ata të pranojnë në gjirin e tyre një vend me histori të thellë korrupsioni (ku ekonomia informale ka përbërë 30–50% të PBB-së), që për më tepër po zhbën institucionet e vetme të pavarura që mund ta hetonin këtë korrupsion?
Ukraina, dhe aleatët e saj liberal-demokratikë, ndodhen përballë një realitet të zymtë: është e mundur që lufta me Rusinë të përfundojë me një humbje. Në skenarin më të mirë, Rusia do të ketë de facto nën kontroll rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë Detin e Azovit. Në më të keqin, Rusia mund të përparojë edhe më tej, duke e kthyer Ukrainën në një shtet të cunguar. Popullsia është ulur me miliona, dhe shumica e refugjatëve nuk do të duan të kthehen në një vend të varfër dhe të shkatërruar nga lufta. Një sondazh i fundit tregoi se më pak se gjysma e 5 milionë refugjatëve planifikojnë të rikthehen. Burrat e moshës për të luftuar janë vrarë, plagosur, apo do të kthehen të zemëruar dhe me përvojë luftarake. Ata – dhe populli që mbetet – mund të besojnë një teori “thike pas shpine”. Pse? Sepse Zelensky dhe aleatët e tij ndërkombëtarë premtuan një fitore të sigurt. Tani, befas, ajo po u rrëshqet nga duart.
Pa luftë, Zelensky nuk do të ketë më ligjin ushtarak që i ka lejuar të bllokojë zgjedhjet apo të kontrollojë median.
Duke marrë parasysh edhe historinë revolucionare të Ukrainës – me protesta masive në 1991, 2004 dhe 2014 që sollën përmbysje qeverish – nuk është çudi që miratimi i ligjit për NABU-në u pasua nga protesta të menjëhershme në të gjithë vendin, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme nga raketat ruse.
Në pak fjalë, Ukraina është si një fuçi baruti gati për të shpërthyer. Zelensky mund të jetë duke u përgatitur për këtë shpërthim, duke e kufizuar mundësinë e hetimeve të pavarura që mund të ndezin zjarrin pas përfundimit të luftës.
Por, nëse vepron kështu, ai po rrezikon që kjo të ndodhë shumë më herët se sa kishte parashikuar.