KQZ vendos: Adriatik Lapaj ngelet jashtë Parlamentit, mandatin e merr motra e tij, Kleana Xhuveli

Ka marrë fund “telenovela” e mandatit të vetëm të Nisma Shqipëria Bëhet, i cili do t’i kalojë tashmë zyrtarisht Kleana Xhuvelit, të katërtës në listën e mbyllur për qarkun e Tiranës.

Ilirjan Celibashi ka arsyetuar se KQZ nuk i ka miratuar dorëheqjet, për shkak se nuk mund të ketë dorëheqje pasi listat janë miratuar, dhe për pasojë mandati do t’i kalojë kandidatëve që janë në listë të mbyllur, sipas radhës.

Duke qenë se Ana Dajko dhe Livia Stavri, dy të parat në listë nuk e kanë pranuar, mandati i ka kaluar Kleana Xhuvelit,motrës së Adriatik Lapajt.

“Ka dy momente ligjore që për vendimmarrjen në lidhje me shpalljen e kandidatit fitues. Ka dy çështje që duhen sqaruar, e para a janë që prej 11 majit kandidatë për deputetë 12 personat e listës së mbyllur të cilët në këtë datë kanë depozituar deklaratën e dorëheqjes nga kandidimi? Çështja e dytë, a mundet që në këtë fazë akoma pa u shpërndarë mandatet dhe pa u shpallur kandidatët fitues një kandidat i listës së mbyllur të mund të kërkojë të mos e marrë mandatin nëse është rasti që ai do duhet ta marrë.

Në lidhje me çështjen e parë, janë apo nuk janë sot kandidatë për deputetë ata të listës së mbyllur. Pretendimi juaj se kjo dorëheqje është pranuar në heshtje nga KQZ, nuk qëndron argumenti se KQZ i ka miratuar në heshtje këto dorëheqje. Me miratimin e listave të kandidatëve sipas Kodit Zgjedhor, procesi quhet i mbyllur, në asnjë rrethanë juridike nuk mund të rikonsiderohen, si kërkesa ashtu edhe vendimmarrja.

Kleana Xhuveli, e renditur në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit. Për sa kohë ajo e ka interesin për këtë”, u shpreh Celibashi.

Kjo do të thotë se Adriatik Lapaj, i cili mori më shumë vota në listën e hapur, do të ngelet jashtë Parlamentit.

Prej disa javësh ka patur një debat të fortë mes Adriatk Lapajt dhe Endri Shabanit, pas vendimit të dajës së këtij të fundit për të revokuar dorëheqjen nga kandidimi.

Shabani ka akuzuar Lapajn dhe njerëzit e tij se i kanë kërcënuar familjen, ndërkohë që Lapaj i ka mohuar këto akuza, pavarësisht se në media kanë dalë audio ku tregohen kërcënimet ndaj familjarëve të kreut të Nisma Thurje.

Tashmë do të duhet që kandidatët e listës së mbyllur të tërhiqen, që Adriatik Lapaj të ketë mundësinë për t’u bërë deputet në Kuvendin e Shqiëprisë.