Gjykata e Tiranës vendosi të martëb të lirojë nga burgu Edison Haxhiun, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në atentatin ndaj Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndodhur në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.
Sipas prokurorisë, Haxhiu dyshohet se ka bashkëpunuar me Ilir Beqarajn, i cili është nën hetim si autor i dyshuar i vrasjes së Bejtjas.
Ndaj Haxhiut ishte ngritur akuza për “krijim të kushteve për të kryer vrasje”, një vepër e rëndë penale që lidhet me organizimin dhe mbështetjen logjistike të atentatit.
Megjithatë, lirimi i tij nuk vjen si rezultat i rrëzimit të akuzave, por për shkak të përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Për këtë arsye, Gjykata vendosi të pushojë masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë në gjendje të lirë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në verën e vitit 2023, kur Gentjan Bejtja u qëllua për vdekje në një atentat të mirëorganizuar në periferi të Fushë Krujës.
Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe autorët e përfshirë.