Zëri që tronditi hetimet, detaji që ngre dyshime për aksidentin e Air India

Një detaj i regjistruar në kabinën e pilotëve po kthehet në pikën më të nxehtë të hetimeve për aksidentin ajror të Air India Flight 171, ku humbën jetën 260 persona në qershor.

Sipas raportit paraprak 15-faqësh, vetëm pak sekonda pas ngritjes në ajër, të dy çelësat e kontrollit të karburantit u kaluan në pozicionin “cut-off”, duke ndërprerë furnizimin me karburant dhe duke shkaktuar humbjen totale të fuqisë së motorëve – një procedurë që normalisht kryhet vetëm pas uljes.

Regjistrimi i zërit në kabinë tregon një nga pilotët duke pyetur tjetrin pse e “fik karburantin”, me përgjigjen që mohon veprimin. Ende nuk dihet saktësisht kush foli në atë moment. Në atë kohë, avioni po drejtohej nga bashkëpiloti, ndërsa kapiteni po monitoronte fluturimin.

Motori i dytë nisi të rifitonte fuqinë pak çaste para përplasjes, por avioni ra mbi një lagje në Ahmedabad brenda më pak se një minute nga nisja.

Raporti paraprak nuk përjashton asnjë pistë dhe hetimet janë ende në vijim. Mediat ndërkombëtare kanë përmendur kapitenin 56-vjeçar Sumeet Sabharwal si figurë kyçe në hetim, ndërsa bashkëpiloti Clive Kunder, 32 vjeç, ishte në kontroll të avionit. Të dy kishin më shumë se 19 mijë orë fluturimi të kombinuara.

Zyrtarët indianë dhe amerikanë kanë dënuar rrjedhjet mediatike si të nxituara dhe spekulative. Byroja e Hetimit të Aksidenteve Ajrore në Indi (AAIB) ka kërkuar durim dhe kujdes në publikimet, ndërsa Shoqata e Pilotëve Indianë e quajti fajësimin paraprak të ekuipazhit si të papërgjegjshëm.

Në thelb të debatit qëndron një fjali nga regjistrimi i kabinës, ndërsa transkripti i plotë pritet të dalë me raportin përfundimtar. Hetuesit theksojnë se ende nuk përjashtohet mundësia e një defekti automatik në sistemin e kontrollit të motorëve.

Deri tani, të dhënat tregojnë se çelësat janë fikur me dorë, por kush e bëri këtë veprim dhe pse, mbetet mister. Hetimet zyrtare pritet të zgjasin të paktën edhe një vit.