Turizëm nën trafik, nga Saranda në Shkodër, fundjava që kthehet në makth

Në një llogaritje konservatore, në 30 vite, Qeveritë shqiptare kanë harxhuar të paktën 13 miliardë euro për rrugët. Por sërish, Shqipëria ka mbetur pa rrugë, aq sa mjafton një fundjavë në det për të kuptuar se sa shumë është vjedhur.

Një vëzhgim i raportimeve të sotme mbi trafikun dhë vëren se të gjitha akset kryesore kanë pasur vonesa të mëdha dhe trafik të shtuar. Rruga nga Zverneci në Vlorë u kthye në një makth kilometrik sot për mijëra pushues.

Por më pas, trafik ka pasur në të gjithë bregdetin e Durrësit, aksi i Fushë-Krujës deri në Thumanë. Trafik i raportuar në Sarandë, në hyrje të Elbasanit, në Tiranë, apo në rrugën e Arbrit.

Shtimi i turistëve këtë vit ka vendosur nën vështirësi të madhe qeverinë e cila ka mbetur shumë prapa me investimet në akset kryesore të vendit. Përjashto rrugën Fier-Vlorë, asnjë rrugë tjetër nuk ka përfundur. 

Por pa llogaritur këtë fakt, shumë rrugë të tjera janë degraduar dhe kanë nevojë urgjente për zgjerim si Tiranë-Durrës apo Thumanë-Vorë. 

Situata me trafikun është kaq e rëndë sa kryeministri Rama i detyrua të kërkojë falje. Por duket se nuk ka zgjidhje të shpejtë pasi projektet e përfolura duan vite të përfundojnë.