Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj aksioneve të fundit për prishjen e ndërtimeve në zonën turistike të Thethit.
Shehaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një plan të mirëorganizuar që, sipas tij, ndjek të njëjtin model si në jug të vendit: fillimisht kufizim për banorët vendas, më pas përvetësim i pronës dhe zhvillim i saj nga klientela e afërt me pushtetin.
Ai paralajmëron se Thethi, një nga destinacionet më të çmuara të turizmit malor në Shqipëri, po shndërrohet në një tjetër “pikë e vogël”, për ndërtime që fillojnë si modeste por përfundojnë si investime me vlerë milionëshe, por jo në duart e komunitetit lokal.
Deklarata e Shehajt:
Ajo që po ndodh në Theth nuk ndryshon shumë nga ajo që ka ndodhur në jug të Shqipërisë në vitet e fundit. Thethi po ndjek të njëjtin model si “pika e vogël” e Mirela Kumbaros. E kujtoni “pikën e vogël”? Aty ndërtuan me letra disa metra katrorë, dhe çdo metër katror u shumëfishua me 4 apo 5 mijë euro. Sot, ajo “pikë e vogël” vlen mbi 100 milionë euro.
Thethi, i tëri, mund të vlejë 200, 500 apo edhe mbi 1 miliard euro. Por problemi i madh është se pronarët e tokave në Theth, banorët e zonës, janë në thelb pronarët e ligjshëm, por nuk kanë dokumentet. Edhe sikur t’i kishin, s’mund të ndërtojnë dot, sepse kanë nevojë për leje, dhe leja jepet vetëm nga Edi Rama.
Një pronë merr vlerë vetëm kur ka leje ndërtimi. Nëse Edi Rama nuk e jep lejen, atëherë pronarët nuk mund ta gëzojnë pronën e tyre.
E vërteta është që Edi Rama ka një plan për Thethin, ashtu siç kishte për jugun. Por problemi i vërtetë është se në atë plan nuk ka vend për pronarët e tokës në Theth.
Kjo është arsyeja pse sot ai po i shemb ndërtimet e tyre, po i zhvesh nga prona dhe po i përjashton nga çdo zhvillim. Sepse Rama ka një plan. Dhe atë plan do ta zbatojë për veten dhe për miqtë e vet, siç e bëri me “pikat e vogla” të bregdetit shqiptar, që sot nuk i gëzojnë më pronarët e tokës, por miqtë e ngushtë të Edi Ramës.