“Terrori” vazhdon në Vlorë, gjoba dhe ndëshkime masive për shoferët

Që ditën e parë kur kryeministri Edi Rama dha urdhër për lirimin e hapësirave publike, institucionet vendore të Bashkisë së Vlorës vazhdojnë “terrorin”.

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Vlorës kanë intensifikuar veprimet për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë gabim automjetet e tyre, duke sjellë problematika në lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve të tjera, me fokus të veçantë zonat më të frekuentuara të qytetit, si: “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare, si dhe akse të tjera me fluks të shtuar për shkak të sezonit turistik.

Po ashtu janë prerë gjoba administrative ndaj drejtuesve që kishin zënë trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorë. Gjithashtu, janë larguar me karrotrec dhjetëra automjete që pengonin qarkullimin në këto zona.

Këtë të enjte, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda artikuloi presionin e radhës duke kërcënuar qytetarët me burg nëse bëjnë parkime të dyfishta.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj. Shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Është e natyrshme që kur diçka e tillë ndodh, aty për aty ne të vihemi në lëvizje nga qytetarët, por është e papranueshme që ne të vihemi në lëvizje pasi abuzimi është bërë mal në sytë e të gjithë komunitetit dhe vetëm struktura pergjegjese nuk e ka marrë vesh akoma”, tha ai.

Por, çfarë parashikon neni 293 i Kodit Penal, të cilit iu referua kryepolici Ilir Proda.
“Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në nenin në fjalë.