240 mijë dollarë shpenzime për veshje dhe hotele? Kryemadhi: Këto i thotë Tedi Blushi që merr urdhra nga SPAK

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me hetimet e SPAK ku Kryemadhi akuzohet se ka përdorur për shpenzime luksi një kartë krediti të biznesmenit Adrian Shatku.

Sipas SPAK, shuma prej 240 mijë dollarë është përdorur për të bërë pagesa për veshje nga Monika Kryemadhi në Londër, Vjenë, Las Vegas e Beverly Hills, por dhe qëndrimet në hotele apo bileta e avioni.

Teksa u paraqit sot në GJKKO për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”, Kryemadhi thotë se ka qenë në Beverly Hills e Las Vegas bashkë me Shatkun, kushërirën këngëtare Bebe Rexha dhe mikeshat e saj, por duke mohuar që të ketë shpenzuar në total 240 mijë dollarë

Kryemadhi thotë 240 mijë dollarë ishte në total vlera e kartës së Shatkut, duke deklaruar se i ka kërkuar bankës amerikane faturat vetëm për shpenzimet e saj.

“Po kam qenë në Beverly Hills, Los Angeles dhe Las Vegas, në Neë York, Boston, edhe kudo, më Michigan, Kinë, Indi, gjithandej kam qenë. E para sa i përket kartës bankare për të cilën Ilir Meta flet me fjalët e Altin Dumanit, dua t’ju them që një kartë krediti në një bankë amerikane duhet që së pari të kesh një numër llogarie bankare, nuk mund të marrësh kartë krediti pa llogari bankare.

Nëse karta është e Monika Kryemadhit, duhet të ketë kërkesë nga që unë i drejtohem bankës amerikane, nëse karta tërhiqet duhet të ketë përsëri marrjen e kartës në dorëzim me firmën e Monika Kryemadhit.

Kam qenë në Beverly Hills, Santa Monica, Las Vegas, edhe në Los Angeles me kushëririn tim Adrian Shatkun, 3 fëmijët e mi, kushërirën time Bebe Rexha, në 10 vjetorin e vajzës sime, kanë qenë edhe disa mikesha të mia me fëmijët e tyre, nuk kam qenë vetëm unë.

Pretendimeve të Prokurorisë unë i jam drejtuar bankës në SHBA për të më dhënë kush janë shpenzimet që kam bërë, duke koordinuar edhe shpenzimet e Adrian Shatkut. Jo nuk janë 240 mijë dollarë, këtë e thotë zëdhënësi i PL Tedi Blushi, i cili merr direktiva nga SPAK. 240 mijë dollarë është karta Shatkut me hotele, bileta avioni, me dreka, me darke, me akullore.”- tha Kryemadhi.