Rinumërohen 42 kutitë e para të Fierit, si ndryshon numri i votave për partitë

Ka nisur sot në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” rinumërimi i 587 kutive për qarkun e Fierit, ku në lojë është mandati i 16-të, që e ka Partia Socialiste, por Nisma Shqipëria Bëhet është rreth 500 vota larg.

Deri më tani janë numëruar 42 kutitë e para, ku rezultati duket jo i favorshëm për partinë e re, pasi nga rinumërimi ka humbur 3 vota, ndërkohë që edhe PS ka humbur 2 vota.

Ashtu si në qarkun e Tiranës, Partia Demokratike është ajo që ka më shumë vota të humbura në rinumërim, 6 të tilla deri më tani, ndërsa Aleanca Demokracia e Re është partia që ka fituar 2 vota nga rinumërimi.

Procesi i rinumërimit për qarkun e Fierit pritet të zgjasë 4-5 ditë, ndërsa më pas do të nisë rinumërimi i një pjese të kutive të qarkut të Durrësit.

Ndërkohë, të premten përfundoi rinumërimi i qarkut të Tiranës, ku nuk pati ndryshim rezultati në mandate, por PD dhe PS humbën qindra vota, ashtu si edhe kandidatët e votave preferenciale.

Media Ditari ishte e pranishme gjatë gjithë procesit të rinumërimit për qarkun e Tiranës, ndaj më poshtë mund të lexoni se çfarë ndodhi gjatë 9 ditëve te “Farie Hoti”.

Lexo këtu: MONITORIMI I PLOTË/ 9 ditë te “Farie Hoti”: Nga standardet e dyfishta të KAS te përplasjet verbale! Si dështoi procesi i rinumërimit