Rinumërimi i votave për Qarkun e Tiranës në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” zgjati nëntë ditë, që ishin të ngarkuara me tension, interpretime selektive të rregullores, ndërhyrje politike dhe standarde të dyfishta nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), që e kthyen rinumërimin në një farsë burokratike që më shumë shtoi dyshimet sesa sqaroi të vërtetën e votës.
Media Ditari vëzhgoi procesin e rinumërimit prej ditës së parë dhe deri në mbylljen e kutisë së fundit, ndaj do t’ju sjellë një panoramë të plotë të asaj se çfarë ndodhi brenda mureve të “Farie Hotit”.
KQZ kishte vendosur 24 tavolina numërimi, ku në secilën prej tyre do të ishin 2 numërues, punonjës së administratës së KQZ-së. Në mes të sallës ishte vendosur KAS, me anëtarët e së cilës që vështirë se u bënë ndonjëherë të gjithë bashkë, pasi çdo ditë do të mungonte ndonjë prej tyre, pavarësisht se ishin ata që kishin vendosur rinumërim të votave.
Por ky rinumërim që u prezantua si një akt transparence, u kthye në një demonstrim të qartë të mungesës së standardeve.
Standardi i dyfishtë i KAS në vlerësimin e votave
Çdo votë që kishte kontestime do të duhej të shkonte te anëtarët e KAS, të cilët do të bënin vlerësimin e saj, por që në ditën e parë të rinumërimit, u bë e qartë se procesi nuk do të ishte as i njëtrajtshëm dhe as i drejtë.
Vendimmarrja e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) u karakterizua nga interpretime të paqarta dhe shpesh të ndikuara politikisht. Vendimet e KAS ndryshonin nga një kuti në tjetrën, duke përdorur kritere të paqarta për shpalljen e pavlefshmërisë apo vlefshmërisë së votave.
Në disa raste, vota që në një kuti u quajt e vlefshme, në një tjetër u refuzua me argumente të pasakta ose të paargumentuara fare. Kjo krijoi jo vetëm konfuzion mes numëruesve, por edhe tension dhe përplasje të vazhdueshme mes vëzhguesve dhe anëtarëve të KAS.
Madje, në disa raste vendimet e KAS u morën nëpërmjet mesazheve në “Whatsapp”, pasi asnjë prej tyre nuk ndodhej në sallë. Por këto komunikime me KAS nuk iu treguan vëzhguesve, duke hedhur edhe më shumë dyshime mbi mënyrën e vendimmarrjeve për votat.
Ndërkohë, në disa raste kur në sallë ndodhej vetëm një anëtar i KAS, ai merrte vendim i vetëm për vlefshmërinë ose jo të votës, duke shkelur hapur rregullat, pasi vendimi duhet të merrte me shumicën e anëtarëve.
Për këtë çështje pati edhe debate mes vëzhguesit të Media Ditarit dhe anëtarit të KAS, Elvis Çefa, pasi ky i fundit mori vendim i vetëm për një kuti votimi, kur vëzhguesit e partive politike kërkuan rinumërim për shkak se dyshonin që rinumërimi nuk ishte bërë i saktë.

“X” përbri emrit të kandidatit, “molla e sherrit” mes KAS dhe kandidatëve
Gjatë numërimit të parë, çdo shenjë “x” apo “+” e vendosur përbri emrit të kandidatit dhe jo në kuadrat, ishte cilësuar e vlefhsme edhe si votë personale, por në procesin e rinumërimit KAS mori një tjetër vendim.
Sipas KAS, të vlefshme për kandidatin do të quheshin vetëm shenjat brenda kuadratit të tij, dhe jo ato jashtë. Por ky vendim u mor vetëm në ditën e dytë të rinumërimit, pasi gjatë ditës së parë disa prej votave me “x” përbri u cilësuan si të vlefshme edhe për kandidatët.
Vendimi i KAS solli pakënaqësi te të gjithë kandidatët, që panë t’u hiqeshin deri në qindra vota personale, çfarë solli edhe ndryshim të renditjes për disa nga kandidatët.
Nga ky ndryshim më e humbur në PD doli Jorida Tabaku, të cilës iu hoqën 250 vota, por pavarësisht kësaj arriti të mbante mandatin e deputetes. Ndërsa te Partia Socialiste, Ervin Hoxha humbi 309 vota personale.

Numërues të patrajnuar, disa prej tyre edhe arrogantë
Numëruesit e vendosur nga KQZ ishin të patrajnuar si duhet, ndërkohë që standardi i dyfishtë i përdorur nga KAS për vlerësimin e votave ua bëri edhe më të vështirë detyrën.
Pjesa dërrmuese e tyre, ndryshe nga numëruesit partiakë, ishin bashkëpunues sa herë që kishte kërkesa nga vëzhguesit e partive, por kishte edhe numërues arrogantë, që refuzonin të respektonin rregulloren.
I tillë ishte edhe një tjetër rast me vëzhguesin e Media Ditarit dhe një prej numëruesve, që nuk pranonte të çonte një fletë të kontestuar te KAS për ta vlerësuar. Sipas rregullores, do të duhej të ishte numëruesi që të shkonte dhe t’ua paraqiste votën e kontestuar anëtarëve të KAS për ta vlerësuar, por ky numërues nuk pranonte, duke u thënë vëzhguesve të partive që të gjenin koordinatorët e KQZ-së dhe ta dërgonin ata fletën e votimit.
Madje, përsëriste disa herë se kishte 20 vite që punonte në KQZ dhe i dinte mirë rregullat. Vëzhguesi i Media Ditarit komunikoi me një prej koordinatorëve të KQZ dhe ajo ia shpjegoi numëruesit se ishte detyra e tij të shkonte te KAS, sipas rregullores.
Me sa duket, as 20 vite punë nuk i kishin mjaftuar këtij numëruesi të mësonte rregullat e numërimit të votave.

Vëzhguesit që morën pjesë
Partia Mundësia dukej që ishte pala më e interesuar për këtë proces, për shkak se vëzhguesit e saj qëndruan në sallën e rinumërimit për 9 ditë me radhë, duke mos lënë asnjë tavolinë numërimi pa vëzhguar dhe pa u pajisur me procesverbalet përfundimtarë.
Në fund dolën të fituar, pasi jo vetëm që arritën të mbanin mandatin e dytë, por edhe thelluan diferencën me Partinë Demokratike, me këtë të fundit që humbi një numër të konsiderueshëm votash.
Partia Socialiste ishte pala më pak e interesuar, pasi vëzhguesit e saj ishin shumë të paktë në numër, dhe u interesuan vetëm për procesverbalet në fund të çdo kutie të rinumëruar.
Nga PS, kishte vëzhgues Blerina Gjylameti, e cila shpresonte që rinumërimi do t’i jepte mandatin e deputetes, për shkak të diferencës së vogël me Olta Xhaçkën, por kjo e fundit arriti që ta mbante mandatin e fituar, pavarësisht se diferenca prej 140 votash u përgjysmua.
Edhe Xhaçka solli vëzhguesit e saj, por vetëm në ditët e fundit, kur diferenca po ngushtohej.
Nga Partia Demokratike, vëzhguesit e Ilir Alimehmetit, Asllan Dogjanit dhe Jorida Tabakut ishin ata që u interesuan për çdo votë të këtyre kandidatëve. Prej tyre, vetëm Asllan Dogjani arriti të rikuperojë disa vota, ndërsa Tabaku dhe Alimehmeti dolën me më pak vota preferenciale.

Debati Dogjani – Rusmajli, si u hakmor anëtari i KAS
Vlerësimi “i pavlefshëm për kandidatin” i një vote u kthye në një debat të ashpër mes anëtarit të KAS, Ilir Rusmajlit dhe deputetit demokrat Asllan Dogjani. Siç shihet në foton e mëposhtme, “x” i vendosur nga votuesi ka dalë pak jashtë kutisë së Dogjanit, ndaj KAS e shpalli të vlefshme vetëm për subjektin (PD-ASHM) dhe jo për Dogjanin, çfarë solli edhe shpërthimin në akuza të këtij të fundit.
“Hajde shihe, është e paqartë, vjedh vota dhe thërret polici, vidhni vota, hajdut! Nuk është hera e parë që vidhni. Mos u tallni me votat e qytetarëve, se keni ditë e natë që rrimë këtu, me çfarë të drejte heq vota ti? Nuk është hera e parë. Turp të keni! Do to marr dhe do ti çoj në SPAK, ku është shprehur vullneti? Për të tjerët shprehet, për mua ku? Talleni. Ja vota, urdhëroni se si tallen këta. Ky e di sa vota…3 vota, 4 vota në kuti i marrin. Heqin votat kur shënimi është përbri kandidatit. Pse e bëjnë këtë? E bëjnë sepse kanë marrë orientim sikur ka qenë njësoj se u kemi prishur terezinë”, u shpreh Dogjani.
Pas këtyre akuzave, KAS vendosi të përjashtojë Dogjanin nga procesi i rinumërimit, me efektivët e policisë që e nxorën jashtë sallës së “Farie Hotit”.
Por Rusmajli nuk u mjaftua me kaq, pasi pas kësaj ngjarje, pothuajse çdo votë e Dogjanit që dërgohej për verifikim në KAS u shpall e pavlefshme për kandidatin, duke bërë që deputeti demokrat të humbte disa dhjetëra vota të tjera personale.
Video e debatit Dogjani – Rusmajli

Topi i Mato Grudës apo organ gjenital?
Erion Braçe publikoi në rrjetet sociale një votë ku shihej se qytetari kishte vizatuar diçka të ngjashme me një organ gjenital mashkullor, siç tha anëtari i KAS, Ledio Braho, ndërkohë që për deputetin socialist vizatimi ishte “topi i Mato Grudës”.
Vota u shpall e pavlefshme, ndaj erdhi edhe reagimi i Erion Braçes, që e quajti të pakuptimtë vlefshmërinë e votimit me “zemër” dhe pavlefshmërinë e “topit të Mato Grudës”.
E vlefshme u quajt edhe shkrimi “bufi” te fleta e votimit, votë që i kaloi Partisë Socialiste, por solli reagime të shumta mbi standardet e vendosura nga KAS.


PD, humbësja e madhe e rinumërimit, asnjë deputet nuk e ndoqi procesin nga afër
Partia Demokratike shpresonte se falë rinumërimit do të arrinte të nxirrte të tjera prova për manipulimin e zgjedhjeve të 11 Majit, por në fakt doli e kundërta.
Pas rinumërimit, PD humbi 612 vota në qarkun e Tiranës, më pak edhe se Partia Socialiste të cilën e akuzojnë për manipulime, teksa opozita dukej se ishte shumë pak e interesuar se si do të shkonte procesi i rinumërimit.
I vetmi deputet opozitar që qëndroi disa ditë në rinumërim ishte Asllan Dogjani, i cili u largua pas vendimit të KAS, ndërkohë që asnjë prej deputetëve të tjerë nuk u shfaq asnjëherë gjatë 9 ditëve te “Farie Hoti”.
Përfundimi:
Nëntë ditët në “Farie Hoti” treguan me qartësi se pa një standard të njëtrajtshëm ligjor dhe pa një qasje të pavarur institucionale, çdo proces rinumërimi rrezikon të kthehet në një farsë. Ajo që ndodhi nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje teknike mbi vota të kontestuara, ishte një dështim institucional që duket se i ka kushtuar rëndë besimit publik.
Vota nuk është thjesht një letër në kuti, është themeli i demokracisë, dhe kur ajo menaxhohet me standarde të dyfishta, është vetë demokracia që vihet në pikëpyetje.