Këtë të hënë nis përballja e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi me drejtësinë për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme zhvillohet seanca e parë gjyqësore e procesit në themel.
Dosja “Partizani” do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short Elsa Ulliri kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues.
Por, kryesuesja e trupës gjykuese, Elsa Ulliri ka kërkuar dorëheqjen nga çështja me argumentin se është kushërira e deputetes së PD, Andia Ulliri.
Mësohet se kjo kërkesë dorëheqjeje i është paraqitur drejtuesit të GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh, por nuk dihet nëse është pranuar.
Të pandehurit nuk kanë kërkuar asnjëri prej tyre gjykim të shkurtuar dhe juridikisht kjo do të thotë se procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë.
Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Nuk dihet ende nëse ish-kryeministri Sali Berisha do paraqitet personalisht në gjyq apo do përfaqësohet nga avokatët mbrojtës.
Të pandehurit dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme:
Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Fatmir Bektashi – , akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Xhimi Begeja– Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim
Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’.
Studio Pustina sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Shoqëria Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Shoqëria Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të Produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”