Vrasja e Elton Javorit në 2023-in, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim autorët

Prokuroria e Fierit ka çuar për gjykim 5 persona, në lidhje me vrasjen e Erjon Javorit, ngjarje kjo e ndodhur më 7 dhjetor të 2023-it.

Prokuroria ka përfunduar hetimet për dy vëllezërit, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërkohë, tre personat e tjerë janë shtetasit me iniciale R.P. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi me iniciale A.L. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” dhe shtetasja me iniciale E.Xh. e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.G. dhe A.G. të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/1 e 25, dhe 278/1 të Kodit Penal, si dhe shtetasin R.P. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal; shtetasin A.L. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe shtetasen E.Xh. e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” e parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të plota dhe dinamike, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive mbi procedimin penal nr.1727 të vitit 2023, rezultoi e provuar se, në datë 07.12.2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, të pandehurit K.G. e A.G., vëllezër, në bashkëpunim mes tyre, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga shtetasit E.J., i moshës 41 (dyzet e një) vjeç, i cili ndërroi jetë.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.