Që prej tre ditësh, në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” po vijon rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri tani janë hapur 254 kuti, që duket se po tregojnë trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Nga rinumërimi, rezulton se Ilir Alimehmetit i janë shtuar 22 vota, që ai i ka marrë padrejtësisht nga numërimi i parë. Këto 22 vota, më rinumërimin atij i janë zbritur.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 13 vota më pak në procesverbal, sesa në kuti.
Sa i takon PS, kandidatja për deputete Kejsi Elezi rezulton me 80 vota më shumë në procesverbal se sa kishte në kutinë e votimit, ndërsa Fatmir Xhafaj ka 61 vota më shumë, të cilat i janë hequr.
Më herët, PS iu drejtua KAS me një kërkesë që edhe në rastet kur shenja e votimi x ose +, është vendosur jashtë kuadratit në rastin e votës për kandidatët, të llogaritet si votë e vlefshme.
Kujtojmë se procesi i rinumërimit të 1282 kutive të votimit të Tiranës të zgjasë deri në 10 ditë.