Artan Tafani: Vrasjen e Albi Bashaliut e kërkoi ‘Lili’, krahu i djathtë i Sajmir Taullaut! Babai i Laert Haxhiut na solli 30 mijë euro

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, i cili ishte pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka treguar sot në sallën e gjyqit detaje nga vrasja e Albi Bashaliut, ngjarje kjo e ndodhur në Peqin më 7 Dhjetor të vitit 2022.

Ai thotë se e qëlloi viktimën 6 herë, ku dy plumba i mori në gjoks. Ai ka treguar edhe motivet se përse Laert Haxhoi e donte të vdekur Bashaliun.

Tafani tregoi në sallën e gjyqit se Laerti po e bënte si nder ndaj Lorenc Lalës, që thirrej edhe “Lili” dhe ky i fundit e kërkonte për dy vëllezërit Xhahysa, që pretendonin se Bashaliu u kishte vrarë babanë.

Lili është krahu i djathtë Sajmir Taullahut (një tjetër personazh i botës së krimit në Lushnjë, rival i Aldo Bares). Lili mbante lekët e të gjithëve; të Laertit, Sajmirit, të të gjithëve”, tha Tafani para trupës gjykuese.

Artan Tafani: Pasi mbaruam punë nuk na ndizej makina. E dogjëm makinën. Te vendi ku kishim lënë makinën tjetër për të ikur. Fshiva timonin që e kisha prekur. U nisa me vrap drejt rrugës kryesore. U nisëm per Tiranë, e lamë Benzin në Astir. Donim të shmangeshim nëpër lagje, ecnim në këmbë. E lamë makinën te rrethrrotullimi i Astirit. Kemi marrë një pjesë të lekëve të vrasjes së Albi Bashaliut, fillimisht 30 mijë Euro. Mos gaboj, m’i dha lekët babai i Laertit, Qamili. Unë mora 20 mijë Euro. 20 mijë i mori Lulzimi, 10 mijë i mori Laerti. Morëm dy herë nga 10.

Kishim armë me silenciator, ma dha Bledar Berberi. Kishim dy armë, njëra TT, njëra me fishekë të veçkël fare, por njëra u përdor se tjetra nuk punoi. Një e kisha unë një e kishte Lulëzimi.

Me sa mbaj mend e kam shkrehur katër herë, dy herë në gjoks, dy herë në shpatull.

U qëllua me 6 fishekë, me sa mbaj mend. Arma ishte personale e Bledar Berberit. E kam shkrep 2 herë në gjoks e herët e tjera në kurriz.

Prokurori i SPAK: Po makina Benz nga ishte siguruar?

Artan Tafani: Benzi ishte me targa greke. E përdorte në Shqipëri e dashura e Erisjanos. E merr Laerti dhe e mbajmë ne. Më pas Laerti e çon atë në Greqi.