Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë ku stilisti i njohur Festim Isufi u gjet i vdekur në banesën e tij në “Rrugën B” në Prishtinë teksa gruaja e tij e plagosur me thikë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për mediat në Kosovë se ngjarja u raportua rreth orës 15:00 në një ndërtesë të kësaj zone.
“Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara, femër 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.
Sipas të dhënave fillestare, dy personat kanë pësuar plagë nga një mjet i mprehtë. Rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërkohë që hetuesit policorë po zhvillojnë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.