Nga Isa Bajrami
Tani që natyra po ripërtërihet, politika shqiptare duket sikur po rinovohet. Parti të reja, figura të reja. Partitë e vjetra duken sikur e kanë përmbushur ciklin e tyre të rrotullimit rreth boshtit të politikës. Gjatë këtij rrotullimi sollën krijuan stinë të bukura, por po ashtu edhe të egra për shoqërinë shqiptare. Herë shkuan kundër ligjeve të natyrës, herë kundër ligjeve të shtetit laik apo edhe kundër ligjeve të Zotit. Megjithatë, këto parti ende ekzistojnë në terrenin politik shqiptar, sepse i mban në pushtet graviteti i votave që marrin.
S’do të hyjmë fare në diskutimet filozofike apo shkencore për gjenezën e botës, por në këtë artikull do të flasim për partitë e reja. Le ta nisim fillimisht me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”. Një koalicion i krijuar nga dy parti të reja, si dashuria e dy të rinjve. Megjithëse pretendojnë se dashurinë do ia kushtojnë Shqipërisë. Po sa e sinqertë është dashuria e drejtuesve kryesorë të këtyre dy partive, kur para se të shëtisnin nëpër fshatrat apo lagjet periferike të qyteteve shqiptare, për të kuptuar zahmetin që sjell dashuria për të fituar zemrat e shqiptarëve, ata fillimisht e kanë nisur karrierën nga zyrat komode të OJF-ve e OJQ-ve dhe tashmë kanë kaluar në formacion politik?
Po, të mos bëhemi të padrejtë, por të jemi të drejtë si selvite e Tiranës — kanë qenë protagonistë të disa protestave në interes të publikut (edhe pse, ndoshta edhe ky protagonizëm i tyre kishte për qëllim të bëheshin figura publike). Por, me sa i kam ndjekur unë, këta më duken se do të bëhen “të vjetër” në politikë pa krijuar një lidhje të qëndrueshme organike me shoqërinë shqiptare. Pra, nuk do të arrijnë të krijojnë një elektorat bazë të qëndrueshëm apo të bëhen “qendra e botës” për shqiptarët. Ndoshta nuk gaboj në këtë vëzhgim, sepse lëvizjet e tyre politike, më shumë sesa reflektojnë kërkesën e shoqërisë për ndryshim, duken si snobizëm në modën e partive të reja. Pak a shumë mund të themi se janë “mormonët” e politikës shqiptare.
Ndaj, sipas mendimit tim, janë fluidë dhe thjesht do të mbeten parathënie e një prologu politik. E shoh që mbledhin një numër të konsiderueshëm njerëzish në tubimet e tyre elektorale, por të them të drejtën, formacioni i tyre politik më shumë sesa organizim “political party”, më duket si “fun party”. Për shembull, kërkojnë funksionimin e ligjit, por njëkohësisht, për të legjitimuar veten përballë partive të vjetra, shprehin refrenin: “Ikni ju, të vijmë ne.” Gjithashtu, fjalimet e përdorura nga drejtuesit e këtij formacioni politik më shumë ngjajnë me hartime sesa me fjalime të farkëtuara politikisht. Megjithëse drejtuesi kryesor ka artikulim, shpeshherë kalon në një lloj histerie të çuditshme. Shumëkush e cilëson edhe si një Erion Veliaj 2 apo një Lulzim Basha 2. Mua më duket sikur xhirojnë bosh nëpër Shqipëri. Në vend që të japin siguri si njerëz që do të frenojnë korrupsionin, krijojnë dyshime se do t’u kalojnë në shpejtësinë e vjedhjeve edhe të vjetërve. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë. Të shohim a do të arrijnë të bëjnë gjëra të mira për vendin dhe më pas të thonë: “U kry, bac!”
Është edhe një parti që nuk është veç e re, por edhe neokomuniste. Këta më shumë se parti janë vazhdim i së keqes, janë në shërbim të saj. Flasin gjithë ditën për të varfërit, por në të vërtetë përfaqësojnë errësirën sepse, pa ua ndjerë fare për dhimbjet që i ka shkaktuar ideologjia që përfaqësojnë këtij kombi, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, i bëjnë karshillëk popullit duke prezantuar si alternativë po prapë të njëjtën ideologji. A nuk është e tejngarkuar shoqëria shqiptare me shtresë ozoni ideologjik të majtë? Duke qenë kështu, në vend që t’ia mbathin në shtegun më të afërt, bredhin rrugëve nëpër qytete duke llokoçitur utopizma e duke idealizuar gjëra të paarritshme. Janë hileqarë, të pabesë ndaj shoqërisë, sepse idealizojnë gjëra të paarritshme për t’iu shmangur kritikave të drejtpërdrejta, sepse kur idealizon diçka, asaj dashur pa dashur i vesh një lloj shenjterie, dhe kur diçka shenjtërohet, është e vështirë ta kritikosh. Por këta në të vërtetë nuk besojnë as në botën e ideve të Platonit dhe as në ndonjë lloj shenjterie tjetër, kur duan të shkatërrojnë çdo lloj vlere të formuar nga të menduarit në mënyrë holistike. Këta, që progresin shoqëror e perceptojnë veç në aspektin dinamik dhe nuk njohin asnjë vlerë statike të çmueshme. Por që, sipas tyre, “me qenë” do të thotë të ekzistosh brenda një procesi të vazhdueshëm ndryshimi dhe bërrjeje. Kjo do të thotë se prej tyre mund të vijë veç anarki dhe pesimizëm. Mirëpo janë elokuentë në oratori. Jo veç në vendin tonë, por kudo ku ndodhet në botë soji i tyre. Pse ndodh kjo? Sepse, duke dashur të shkatërrojnë çdo vlerë tradicionale, u duhet shumë punë për të rikrijuar një sistem të ri përballë atij ekzistues. Dhe ky fakt i aftëson ata në përballje e debate. Por edhe pse janë oratorë të mirë, s’do të thotë se ata cicërojnë si zogjtë që paralajmërojnë ardhjen e stinës shumëngjyrëshe. Përkundrazi, ata shkaktojnë thatësira shoqërore, saqë këtë gjë askush nuk e bën më mirë se ata. Ndaj këta do të ekzistojnë gjithmonë, për të vetmen arsye: që në përplasjen e vazhdueshme të së mirës me të keqen, ata të jenë gjithmonë në anën e së keqes së njeriut. A nuk është provuar se komunizmi përmban veç potencialin e së keqes duke sjellë veç krim dhe mjerim? Atëherë pse duhet të zënë ende vend në skenën politike shqiptare?
Tani do të flasim për partinë “Mundësia” dhe për liderin e saj, Agron Shehaj. Pa hezitim mund të themi se kjo parti përfaqëson esencën e karakterit shqiptar, i cili është me një orientim të djathtë politik. Pse e them këtë? E them këtë sepse, nëse pastrojmë elementet e indoktrinimit ideologjik të periudhës komuniste nga shoqëria shqiptare, do të shohim se shqiptari tipik është i përqendruar te vetë-realizimi, ka sedrën e krenarisë personale dhe gjithmonë kërkon t’ia dalë vetë — tipare këto që përputhen më shumë me filozofinë politike të djathtë. Mirëpo kjo natyrë e jona karakteriale u denatyralizua politikisht nga monizmi 50-vjeçar. Megjithatë, Partia Mundësia, duke vënë theksin te puna, përpjekja individuale dhe duke e bazuar suksesin përmes meritës, duket se po përpiqet të ndërtojë një narrativë politike që e kap këtë aspekt të karakterit shqiptar. Partia “Mundësia” ka si slogan në këto zgjedhje: “Një Shqipëri ku ia del me punë të ndershme.” Mirëpo ka nga ata që menjëherë do hidhen e do thonë: “Shqiptarët nuk e duan punën, ndaj thjesht zgjedhin rrugët antiligjore për t’u pasuruar sa më shpejt.” Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë si shpjegohet që shqiptarët në emigracion ia kanë dalë të jenë të suksesshëm me punë të ndershme? Kjo ka veç një shpjegim: nëse shqiptarëve u krijohen hapësirat ku funksionojnë rregullat e tregut të lirë, ku sistemet qeverisëse janë funksionale dhe puna e mundi shpërblehen, atëherë del në pah edhe ana më e mirë e karakterit tonë duke qënë të suksesshëm në iniciativat individuale që ndërmarrim. Ndërsa në Shqipëri, shpeshherë, korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e meritokracisë e shtypin këtë potencial të karakterit tonë.
Një prej shembujve më të mirë se si mund t’ia dalësh me punë të ndershme është edhe z. Agron Shehaj. A nuk është më i vlefshëm një shembull i mirë sesa mijëra fjalë të bukura (propagandë)?
Megjithëse dalja në skenë e partive të reja, në të vërtetë, nuk është një ndarje në kuptimin filozofik të mirëfilltë, por më shumë një zhvillim sociologjik shoqëror, unë prapë, shkurtimisht, po hy pak në filozofi për të qenë sa më i qartë ndaj argumenteve që po parashtroj.
P.sh., në kuptimin filozofik, Aristoteli “qenien-ekzistencën” e percepton kështu: çdo gjë është për shkak se ka një potencial për të qenë diçka dhe e realizon atë potencial, pra nëpërmjet një lëvizjeje nga potenciali në akt. Çdo gjë që ekziston është në një rrugë drejt përmbushjes së natyrës së vet. Ky proces ndodh sepse çdo qenie ka një qëllim natyror që e shtyn drejt realizimit. Në lidhje me këtë mund të japim shembullin me farën e një peme dhe vetë pemën. Një farë është në vetvete e paplotësuar, por brenda saj ka potencialin për t’u bërë pemë. Kur ajo mbillet, ushqehet, rritet dhe përfundimisht jep fryte, ajo nuk është më vetëm potencial — por është realizuar siç ajo është e destinuar të jetë.
Po ashtu, duke vazhduar në kontekstin filozofik, mund të shtojmë edhe se njeriu, duke pyetur “kush jam unë?”, i përfiton vetes edhe një identitet. Sepse njeriu nuk është thjesht një qenie që ekziston, por rreth mënyrës së të qenit të tij ai pyet për ekzistencën e vet. Gjithashtu, njeriu, si një krijesë që krijon kuptime për t’i dhënë vetes vlera etike, mund të pyesë edhe kështu: Çfarë lloj njeriu duhet të jemi? A mund të bëhet njeriu versioni më i mirë i vetes?
Duke marrë si referenca këto të dhëna filozofike, por tashmë duke i parë në aspektin politik, mund të konkludojmë se, potencialisht, Shqipëria, me gjithë resurset natyrore, njerëzore dhe kulturore, duket e papërmbushur. Sepse historikisht këto resurse janë keqpërdorur nga shteti nëpërmjet burokracisë, klientelizmit, korrupsionit dhe pushtetit të centralizuar veç në duart e disa njerëzve. Mirëpo, pikërisht për të rregulluar këto prapësi, partia “Mundësia”, duke pasur në programin e saj parime të së djathtës si: një shtet të vogël, më pak burokraci dhe më shumë liri individuale e sipërmarrje, mund të shihet si përpjekje për të aktualizuar potencialin shqiptar.
Dhe për ta zhvilluar sa më mirë këtë potencial, për të përmbushur aspiratat e shqiptarëve për më shumë zhvillim dhe demokraci, z. Agron Shehaj duket si udhëheqësi më i përshtatshëm në skenën politike shqiptare, sepse vetë ai është një njeri i realizuar. Ai mishëron figurën e “shqiptarit që ia ka dalë vetë” — jo me mbështetje politike, por përmes punës. Ai nuk është si politikanët që kemi parë deri më sot, që hyjnë në politikë për t’u realizuar ekonomikisht nëpërmjet vjedhjes. A nuk është e vërtetë se, kur një njeri është i parealizuar në vetvete, kur përpiqet të bëjë diçka, më shumë prish sesa rregullon punë? Po z. Shehaj është e kundërta e kësaj. Gjithashtu, projekti i tij politik është afatgjatë, dhe duke qenë i tillë, kjo krijon mundësinë që resurset ekonomike të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë e jo duke i vjedhur ato. A nuk themi ne shqiptarët se punët e mira bëhen avash-avash? Po ashtu, ai, duke ardhur nga shptresa e ish-të përndjekurve politik, e ka të gatshme lidhjen organike me shoqërinë shqiptare. Gjithashtu, ai nuk është i tepërt në politikë, sepse PD, duke mos e aplikuar plotësisht potencialin e parimeve të djathta në dobi të shoqërisë shqiptare, atëherë është legjitime që Shehaj të pretendojë se do t’i realizojë ai këto.
Ju jeni në të drejtën tuaj, duke pasur parasysh qoftë partitë e reja që përmenda dhe ato që nuk përmenda, të vazhdoni me dilemën: “T’i duash apo mos t’i duash partitë e reja, kjo është çështja.”
Kurse unë po vazhdoj me një fragment nga Heideggeri. Kur e pyetën njëherë Heidegger-in: “Çfarë mendon të bësh?”, ai u përgjigj: “Në këtë pyetje ka dy veprime, gjë që unë s’mund t’i bëj të dyja njëkohësisht — pra, edhe të mendoj edhe të veproj.”
A nuk ka ardhur koha të veprojmë duke menduar se jo veç rotacioni, por edhe ndryshimi vjen nga partia “Mundësia”?