Papa Françesku ndërron jetë në moshën 88-vjeçare

Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, Papa Françesku. Lajmi i trishtë u njoftua nga Vatikani.

Sipas njoftimit, ai ka vdekur në rezidencën e tij në Casa Santa Marta të Vatikanit. Vdekjen e tij e ka bërë të ditur kardinali Kevin Ferrell. 

“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Papa Françesku. Në orën 7:35 të mëngjesit të sotëm, Peshkopi i Romës, Françesku, është kthyer në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, në mënyrë të veçantë në shërbim të më të varfërve dhe të përjashtuarve. Me një mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si një dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ia besojmë shpirtin e Papës Françesku dashurisë së pafund dhe mëshirës së Zotit të vetmit dhe të Trinisë së Shenjtë”, njoftoi ai.

Më herët ai ushtroi detyrën e peshkopit të Romës dhe kreut të Kishës Katolike, ndërsa u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

Papa Françesku vuante nga bronkiti. Ai në dy aktivitete publike më 9 dhe 12 shkurt nuk mundi të mbante fjalimet e tij, duke u shprehur se kishte vështirësi në frymëmarrje dhe kërkoi nga ndihmësit e tij t’i lexonin ato.

Më 21 shtator 2014 realizoi vizitën e parë në Europë dhe Shqipëri. Ai mbajti edhe një meshë solemne në sheshin Nënë Tereza, një fjalim dhe takim në Presidencë dhe shëtitje shenjtëruese në bulevardin e kryeqytetit mes mijëra pjesmarrësve dhe besimtarëve.

Jeta dhe veprimtaria e Papa Françeskut:

Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane në mars të vitit 2013 duke marrë emrin Papa Françesk. Ai është papa i parë i zgjdhur nga Amerikat.

Jeta e hershme dhe arsimimi

Jorge Mario Bergoglio lindi në Buenos Aires në Argjentinë në 17 dhjetor 1936 në një familje emigrantësh italianë. Pasi përfundoi gjimnazin, ai u regjistrua pranë universitetit të Buenos Airesit, ku u diplomua për kimi. Më pas ai filloi trajnimin në seminarin jezuit të Villa Devotos. Në mars të vitit 1985 ai hyri në Shoqërinë e Jezusit.

Bergoglio më pas ndoqi studimet në Fakultetin Teologjik dhe Filozofik San Miguel, ku u diplomua në filozofi. Më vonë mori doktoraturën për teologji në Freiburg të Gjermanisë.

Hapat e para drejt të bërit prift

Në dhjetor të 1973-ës, Bergoglio filloi shërbimet si jezuit në një provincë të Argjentinës. Më vonë ai u rikthye në Universitetin San Miguel, ku shërbeu si rektor dhe si profesor teologjie.

Në korrik të 1992, Bergoglio mori titullin peshkop i Auca dhe nidhmës në Buenos Aires. Në shkurt të 1998 ai u bë arqipeshkv i Buenos Aires-it. 3 vite më vonë ai u zgjodh kardinal nga Papa Gjon Pali II. Në 2005 ai mori rolin e presidentit të Konferencës së Peshkopëve në Argjentinë për të shërbyer në atë pozicion për 4 vjet.

Pas vdekjes së Papa Gjon Palit II në prill të 2005, u tha se Bergoglio ishte i dyti me më shumë vota pas Ratzingerit.

Që herët gjatë arsimimit të tij Bergoglio fitoi një reputacion si konservativ doktrinal. Ai i kundërshtonte fuqishëm martesat brenda të njejtit seks, duke i quajtur “sulm shkatërrues në planin e Zotit”.  Ai gjithashtu debatoi publikisht mbi përpjekjet për të promovuar kontracepsionin falas dhe inseminimin artificial.

Zgjedhja Papë

Në 13 mars të 2013, në moshën 76 vjeç, Jorge Bergoglio u emërua Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, duke u bërë i pari qytetar amerikan, i pari jo-europian dhe i pari prift jezuit që merr titullin Papë. Ai zgjodhi emrin Francis.

Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra personave në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, pas zgjedhjes së tij Papa Françesku tha: “Siç e dini, detyra e konklavit ishte të caktonin një peshkop të Romës. Më duket se vëllezërit kardinalë më kanë zgjedhur mua, që vij nga shumë larg…Ja ku jam. Ju falenderoj të gjithëve për zgjedhjen.”