Brandet e huaja që i lanë shëndenë Shqipërisë për shkak të korrupsionit

Në fundin e verës të vitit 2016, Shqipëria u kthye në një turp ndërkombëtar ndërsa një investitor u rrah në mes të rrugës me shkopa bejsbolli nga anëtarë grupesh kriminale. Foto e avionit çarter të tij, ku ikte nga Shqipëria po atë ditë me familjen, xhiruan mbarë botën.

Ai ishte Fadi Mitri, administrator i kompanisë nga Katari, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtonte një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Biznesmeni me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze u masakrua me shkop bejsbolli në rrugën e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit në Tiranë. Ende sot nuk ka një përgjigje nga Drejtësia se kush e sulmoi investitorin.

Por largimi i “Omnix Albania” nga një investim gjigand në Shqipëri nuk është i vetmi.

Përgjatë viteve, Shqipëria ka pasur investitorë të shumtë të huaj, madje brande ndërkombëtare në shumë fusha. Por shumica e tyre e lanë Shqipërinë.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve fshikëllonte Shqipërinë theksonte se korrupsioni sistemik po largon investitorët. Raporti jepte edhe shembuj konktrete të largimit të investitorëve amerikanë. “Në 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja përfundoi në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhej në raport.

Sot, Shqipëria nuk ka asnjë investitor të vetëm amerikan.

Po kush janë brandet dhe investitorët e huaj që erdhën me bujë që u larguan natën nga Shqipëria?!

Sektori i naftës ka pasur ndryshime të mëdha në Shqipëri. Kompania kanadeze-amerikane Bankers Petrolium erdhi në Shqipëri në fillim të viteve 2000 dhe mori koncension nga qeveria Nano. Sot, kompania ka vetëm emrin pasi pronësia e saj është shitur në pronarë të panjohur offshorë dhe me administrator kinez, ç’ka ngre dyshime se kinezët janë futur thellë në këtë sektor në Shqipëri.

Gjithashtu, kompania tjetër Strem oil është një nga shembujt e dështimit në marrëdhënien e sipërmarrjeve të huaja me Shqipërinë. Ajo u ble nga Transatlantik, por edhe këta të fundit nuk e zgjatën më shumë se 1 vit eksperiencën në Shqipëri. Ata folën hapur për pengesat e shtetit që edhe pse morën përsipër të paguanin detyrimet e prapambetura, thanë se nuk arritën të bashkëpunojnë me kompaninë publike Albpetrol.

Rrjedhje të madhe investitorësh ka pasur kryesisht Gjermania. Janë të shumtë investitorët gjermanë që menduan të futen në Shqipëri por si shumë prej tyre janë larguar përgjithmonë.

Humbja më e madhe ishte largimi i gjigandit të telefonisë “Deutsche Telekom”. Pas vetëm pak vitesh, pasi ata blenë aksione e ish kompanisë AMC, gjermanët u larguan duke shitur mjaf lirë kompaninë në një grup bullgar. Këta më pas e shiten tek një grup tjetër hungarezësh. Largimi i gjigandit gjerman nga Shqipëria pak vite me parë u pa nga shumë eskpertë si një sinjal që po vijnë ditë më të këqia me investitorët.

Por ka edhe shumë kompani të tjera gjermane të larguara. Kompania gjermane Meggle u iku nga Shqipëria duke pohuar se “mungesa e standardeve nga njëra anë dhe konkurrenca e pandershme nga ana tjetër e bënë të vështirë ambientin për biznes të kompanisë Meggle në Shqipëri”.

Në vitin 2017, një tjetër emër i madh u largua nga Shqipëria, Sheraton. Rrjeti i njohur i hotelerisë që prej 14 vitesh ishte prezent edhe në Shqipëri. Largimi i brandit të njohur erdhi paradoksalisht në një kohë kur qeveria sapo kishte masat e saj për të stimuluar pikërisht hotelet e rangut të Sheratonit, duke i hequr TVSH-në.

Në fushën e tregtisë, në Shqipëri erdhi me bujë në vitin 2012 kompania e supermarketeve sllovene Mercator dhe u vendosën në City Park. Por ikën shpejt nga Shqipëria dhe me humbje të mëdha duke pretenduar se investuan më shumë se 6 milionë euro. Në këto kohë, edhe grupi belg  “Delhaize”, që bleu rrjetin “Euromax”, u larguan nga Shqipëria.

Sektori bankar ka pasur largime të shumta. Dy banka greke u larguan nga Shqipëria, NBG bank dhe Alpha Bank që u shit tek hungarezët e OTP. Më herët hungarezët blenë edhe Societe General në Shqipëri dhe francezët ikën nga Shqipëria.

Kompania austriake që menaxhoi Lotarinë Kombëtare u largua nga Shqipëria gjithashtu. Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012. Ajo raportoi humbje dhe e shiti liçencën.

Japan Tobaço International (JTI), një ndër operatorët më të mëdhenj në Shqipëri, ka njoftoi se do të ulte prezencën në Shqipëri. Krahas vështirësive në tregun shqiptar, kompania u gjobit fort nga tatimet shqiptare.

Pak kohë më parë u njoftua se një kompani koreane mund të investonte në Shqipëri. Por pas një viti vërdallosje, përfaqësuesi i Yura Corporation, tha se në Shqipëri është e vështirë të hapësh biznes. Sipas Lucas Nam, në vendin tonë procedurat dhe mungesa e një politike të mirëfilltë për investimet po detyrojnë kompaninë të shikojë mundësinë e largimit. Ata pritën dhënien e një toke për një vit, e nuk e morën kurrë duke ikur përfundimisht nga Shqipëria.