4 të plagosur nga atentati në Tiranë, nipi i pronarit të ‘Pelikan Security’ në gjendje të rëndë! Autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentat që u regjistrua dje në Tiranë ku për pasojë mbetën të plagosur 4 persona.

Të plagosur mbetën djali i pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikan Security”, nipi i tij 11 vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë,  19-vjeçari Kian Mullahi dhe 34-vjeçari Arenc Stafa, i cili po drejtonte automjetin “G-Class”.

Burimet thonë se atentatorët i kanë ndjekur në Unazën e Madhe dhe i kanë qëlluar, ndërsa shoferi 34-vjeçar ka bërë manovra për t’iu larguar autoreve, duke mos ndaluar pas të shtënave dhe ka ecur deri në Lundër, ku thuhet se ka humbur ndjenjat nga plagët. Persona të rastësishëm që ishin në zonë kanë ndihmuar të plagosurit dhe kanë lajmëruar policinë.

Hetuesit kanë marrë deklarimet e para të të rinjve të plagosur pas ngjarjes të cilët te tronditur kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt dhe po ashtu edhe ditën e djeshme nuk kanë pasur asnjë sherr. Të rinjtë nuk kanë asnjë precedent, po ashtu edhe shoferi i tyre nuk ka asnjë precedent dhe asnjë konflikt.

Nga kamerat e sigurisë dhe nga gëzhojat e gjetur dyshohet se autorët kanë qëlluar me mbi 30 plumba. Mendohet se kanë qenë 3 persona, 2 kanë qëlluar me armë, ndërsa i treti ka patur rolin e shoferit.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve. Nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar shënjestër.

“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç. Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia e Tiranës.