Kursi i këmbimit në kaos, leku forcohet me 3 % vlerë brenda dite

Kursi i Këmbimit në Shqipëri ndodhet në një kaos teksa çdo ditë ndodhin lëvizje të pakrahasueshme të vlerave.

Ditën e sotme, Banka e Shqipërisë njoftoi kursin zyrtar nga ky leku është forcuar me 2.98 lekë në raport me euron, një shifër rekord, në aftërsisht 3 % vlerë. Të njëjtat lëvizje janë edhe në raport me monedhat e tjera. 3.33 lekë më pak është shkëmbyer një dollar, 3.92 paundi britanik.

Kjo lëvizje vjen 3 ditë pasi euro u mbivlerësua me disa pikë më shumë se leku për herë të parë pas muajsh rënie.

Por levizje të tilla të kursit të këmbimit ku monedha kombëtare të fitojë apo të humbasë pike me 2 deri në 3 pikë përqindje tregojnë anomali të mëdha. Nuk bëhet më fjalë për llogjikë ekonomike, apo kërkesë ofertë, por lëvizje që nuk pyesin për rregulla.

Banka e Shqipërisë nuk jep asnjë shpjegim se si ka mundësi që kursi i këmbimit pëson të tilla luhatje të tmerrshme.

Po ashtu, nuk bëhet transparentë se kush aktor po luan me shuma të mëdha parash në tregun e këmbimit valutor.

Kjo lloj luhatje tregon se Banka e Shqipërisë nuk arrin dot të monitorojë tregun, e aq më pak ta kontrollojë atë.

Çështja bëhet edhe më delikate sa kohë që qeveria e sheh këtë kaos si sukses. Kryeministri Rama e paraqiti rënie e euros si sukses i qeverisë së tij.

“Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi. Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason”, ka thënë Rama.