Dy persona janë vënë sot në pranga në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Divjakë ku elektricisti Xhuljo Shtëmbari humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike.
Policia njofton se ka arrestuar 2 elektricistë të OST dhe OSHEE Xhezmi Haliti dhe Arben Presheva, të cilët dyshohet se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, duke mos shkëputur energjinë elektrike në linjën që po riparonte 32-vjeçari.
Ky i fundit po punonte për riparimin e një linje elektrike në fshatin Mërtish kur ra në kontakt me energjinë elektrike, duke ndërruar jetë në vend.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Mërtish, ku humbi jetën shtetasi Xh. Sh., 32 vjeç, elektricist i OSHEE, dyshohet sepse ra në kontakt me rrymën, gjatë punës për riparimin e një linje elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. H., 60 vjeç, banues në Gradishtë dhe A. P., 57 vjeç, banues në Babunjë. Këta shtetas, përkatësisht elektricistë të OST dhe OSHEE, dyshohet se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, duke mos shkëputur energjinë elektrike në linjën që po riparonte 32-vjeçari”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.