Mes keqkuptimit dhe dashakeqësisë, deklarata e Shehajt për RTSH-në ndez debatin në rrjet

Deklarata e Agron Shehajt para RTSH-së ka ndezur debate në rrjet, për shkak se kreu i Partisë Mundësia tregoi se ky institucion ka më shumë se 1000 të punësuar, por rezultati që nxjerr është qesharak, pavarësisht se u kushton shqiptarëve rreth 30 milionë euro në vit.

Në shumë media, video e Shehaj u interpretua sikur kreu i Mundësisë kishte deklaruar se RTSH duhej të mbyllej, duke sjellë edhe reagimin e shumë figurave publike. Këta të fundit, duke marrë për bazë këto lajme, deklaronin se RTSH nuk duhej mbyllur, por “duhej kthyer në jetë”.

Madje, ish-drejtuesi i RTSH-së, Thoma Gëllci, i dënuar me 2 vite burg nga GJKKO për abuzim me tenderat pikërisht në RTSH, ironizonte se duhej mbyllur edhe Parlamenti, duke i kujtuar Shehajt edhe rrogën që merr si deputet, rreth 3000 euro.

Por, Gëllci duket se ka harruar se Agron Shehaj prej 4 vitesh nuk ka marrë asnjë lekë nga paga si deputet, pasi e dhuron për 6 vajza jetime, si dhe ka qenë i vetmi në Komisionin e Ekonomisë që ka votuar kundër rritjes së pagave të deputetëve.

Çfarë sugjeroi Shehaj:

Ndryshe nga lajmet e keqkuptuara apo dashakeqëse se Shehaj kërkonte mbylljen e RTSH-së, ajo çfarë deklaronte kreu i Mundësisë ishte krejt e kundërta.

Në asnjë moment të videos, Shehaj nuk thotë për mbylljen e këtij televizioni, por kërkon shkurtimin e fondeve nga 30 milionë në 5 milionë euro, për shkak se ky institucion ka të një staf shumë të madh punonjësish që nuk nxjerrin asnjë rezultat.

“RTSH-ja i kushton shqiptarëve rreth 30 milionë euro në vit dhe ka 1 mijë të punësuar. E dini sa të punësuar ka KLAN-i? Vetëm 300. Imagjinoni, me lekët tona mbajmë një televizion që na kushton me dhjetëra miliona euro për një rezultat qesharak, krahasuar me atë çfarë bëjnë televizionet private. Ky televizion shumë mirë mund të punojë me 5 milionë euro, dhe edhe kjo shumë do të ishte e madhe. Vetëm këtu, mund të kursejmë 25 milionë euro”, thotë Shehaj në videon që mund ta shihni më poshtë.

Pra, keqkuptimi apo dashakeqësia e disa portaleve nxitën një debat të madh publik, por që të gjithë ishin dakort për diçka: RTSH sot është një televizon që ka nevojë të transformohet, pasi nuk ofron asgjë për qytetarët.