Abuzime me tendera/ Agjentët e BKH-së zbarkojnë në një biznes në Elbasan, sekuestrohen dosje dhe telefonat e punonjësve

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zbarkuar mëngjësin e kësaj të enjteje në qytetin e Elbasanit.

Mediat raportojnë se janë ushtruar kontrolle të imtësishme në zyrat qëndrore të një biznesi të madh në Elbasan, i cili operon në fushën e ndërtimeve dhe jo vetëm.

Sakaq, agjentët e BKH kanë sekuestruar fillimisht pas hapjes së zyrave celularët e punonjësve.

Me urdhër të prokurorit, agjentët kanë mbajtur procesverbal dhe kanë sekuestruar dosje, kompjutera dhe aparate celularë të biznesit, i cili rezulton se ka lidhje me hetimin dhe kontrollet që janë zhvilluar kohët e fundit për korrupsion kryesisht në disa bashki të Qarkut të Elbasanit.

Kompania e kontrolluar rezulton se ka përfituar tendera të shumtë , mjaft prej të cilëve të dyshuar në mënyrë të paligjshme nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit .

Prokuroria e Posaçme po heton disa kompani të fuqishme ndërtimi me aktivitet në Elbasan, Tiranë dhe Durrës.