Dy ditë para nisjes së fushatës elektorale, OSBE i dhuron SPAK pajisje kundër krimeve zgjedhore

Prezenca e OSBE-së i dhuroi sot SPAK-ut 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, për të forcuar kapacitetet e Task-Forcës së re të Prokurorisë së Posaçme në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Pajisjet, njofton OSBE do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë.

Kjo asistencë teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve, të cilat synojnë forcimin e aftësive të prokurorëve të posaçëm, hetuesve financiarë dhe hetuesve të BKH-së për mbledhjen, analizimin dhe hetimin e provave që lidhen me krimet zgjedhore.

Gjatë ceremonisë së dhurimit në mjediset e SPAK-ut, Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore.

“Zgjedhjet janë në themel të shtetit demokratik. Ne i shprehim mirënjohjen tonë OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme. Këto pajisje do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore”, tha Altin Dumani.