Partia “Mundësia” prezanton kandidatët për 11 Majin, Shehaj: Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor

“Qytetarët po zgjohen, po kuptojnë që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe ekziston një parti që nuk pjesë e pazareve”. Ky ka qenë një ndër mesazhet që dha sot kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, gjatë prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e 11 Majit.

Shehaj falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan vizionit të kësaj partie, por edhe për sakrificën që kanë bërë këtë periudhë.

Përpara kandidatëve që garojnë për deputet në 11 Maj, por edhe anëtarëve të tjerë të Partisë “Mundësia”, Shehaj nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor, që nuk vjen vetë. “E vërteta është që Shqipëria ka nevojë për një tronditje të madhe, për një ndryshim rrënjësor dhe ky ndryshim nuk vjen vetë. Këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne”- tha ai.

“Para 1 viti e gjysmë nisëm një betejë që shumëkush e quajti të pamundur. Të ndërtonim një forcë politike të re, të pastër, të ndershme dhe të vendosur për të përmbysur një sistem të kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia.
Nuk është koha për të pushuar, përkundrazi, është momenti të shtojmë ritmin, të shtrijmë dorën, të trokasim në çdo derë dhe të flasim me çdo shqiptar që ende nuk na ka dëgjuar. Sepse e vërteta është që Shqipëria ka nevojë për një tronditje të madhe, për një ndryshim rrënjësor dhe ky ndryshim nuk vjen vetë. Këtë ndryshim mund ta sjellim vetëm ne.

Por ne nuk jemi këtu për të bërë pushim. Jemi këtu për të luftuar, sepse kjo nuk është një fushatë zbavitje, është një përballje mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes shpresës dhe zhgënjimit, mes mundësisë dhe status quo-së.
Të dashur miq, shqiptarët po zgjohen, po kuptojnë që Shqipëria ka nevojë për një ndryshim. Po kuptojnë se nuk janë vetëm, se kanë një alternativë. Se ekziston një parti që nuk është pjesë e pazareve, që nuk kanë frikë nga e vërteta dhe që nuk janë në shitje.

Ne nuk hyjmë në politikë për pushtet, por për t’i kthyer pushtetin qytetarëve. Na presin ditë shumë intensive, takime, biseda, përballje, por bashkë me vendosmëri pa frikë dhe pa u ndalur, do ta çojmë këtë betejë deri në fund.
Siç e them shpesh: E ardhmja nuk ndërtohet vetë! Ne do ta ndërtojmë! Hap pas hapi, qytet pas qyteti, me zë të lartë dhe me zemër të pastër. Ky është projekti ynë- tha Agron Shehaj.