Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë ka vijuar me dëshminë e tij sot në GJKKO në lidhje me episode të ndryshme kriminale. Dumani ka treguar sot se në vitin 2019, informacionet për Talo Çelën i merrte nga një shef krimesh në Elbasan. Ai tregoi se ishte Henrik Hoxha që e kishte prezantuar me zyrtarin e policisë, i cili siç pretendon Dumani i kërkonte 10 mijë euro në muaj në këmbim të informacioneve për Talo Çelën.
Gjatë seancës, Dumani është pyetur nga avokatët për momentet e ndalimit të tij në Elbasan dhe mbi dëshminë që i ka dhënë policëve pas arrestimit. Ai tha se nuk ka folur para policisë në Elbasan pasi sipas tij ata janë të korruptuar. Dumani foli edhe për kurthin që iu ngrit ditën kur ishte nisur për të vrarë Oti Kilën, por u qëllua nga mbrapa.
Nuredin Dumani: Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja.
Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishte shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një ditë para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di.