Dy ditët e fundit e gjithë vëmendja u përqëndrua te një luftë e befasishme mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke bërë të harrohet fushata elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.
Tensioni në Bashkinë e Tiranës arriti kulmin, me institucionin që u paraliazua për shkak se nuk dinte cilat urdhra të zbatonte, ato të kryebashkiakut të burgosur apo të kryeministrit, që e ka shpallur veten kryetar “de facto” të Bashkisë. Por, çfarë ndodhi në 24 orë në Bashkinë e Tiranës?
Vendimi i papritur i Erion Veliajt, si i shpalli “luftë” Edi Ramës
Me një vendim të firmosur në qeli, Erion Veliaj vendosi që të shkarkonte Anuela Ristanin si kryetare e komanduar e Bashkisë, për të vendosur në vend të saj Sara Goxhajn, një person shumë i besuar i kryebashkiakut.
Vendimi u protokollua dhe hyri në fuqi menjëherë, teksa në dijeni të veprimit të Veliaj nuk ishte askush, madje as vetë kryeministri Rama.
Hakmarrja e Ramës, furtunë në Bashkinë e Tiranës
Pasi mori lajmin për vendimin e Veliajt, kryeministri Rama u nis menjëherë drejt Bashkisë së Tiranës, ku kërkoi që Anuela Ristani të rikthehej në postin që ia vetë e kishte vendosur, si kryetare e komanduar e Bashkisë.
Rama nuk e la me kaq, por mori vendimin që të shkarkojë Sara Goxhajn dhe Alban Dokushin, Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, duke emëruar në këtë post Jonida Halilin.
Kundërpërgjigja e Veliajt
Për të zyrtarizuar vendimet e Ramës, duhej firma e Veliajt, ndaj zyrtarët e Bashkisë bënë gati dokumentet që Anuela Ristani të rikthehej në krye të Bashkisë.
Por, kryebashkiaku refuzoi t’i firmoste, duke i hedhur edhe më shumë benzinë “zjarrit” të ndezur mes tij dhe kryeministrit.
Erion Veliaj tërhiqet me një justifikim absurd
I vetëdijshëm se luftën me Ramën e kishte të humbur, për shkak të izolimit në burg por jo vetëm, Erion Veliaj vendos të tërhiqet dhe të zbatojë urdhrat e kryeministrit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai u justifikua se kishte firmosur ridelegimin për Sara Goxhajn me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, pasi nuk kishte informacionin e mjaftueshëm aty ku ndodhet.
Por, cilët janë ata vartës që mund të marrin vendime dhe t’ia çojnë kryetarit vetëm për të firmosur?
Lexo edhe: Erion Veliaj tërhiqet nga beteja me Ramën, rikthen Anuela Ristanin në krye të Bashkisë së Tiranës
Në fund, disa fjalë të ëmbla edhe për kryeministrin, si dhe ridelegimi i kompetencave te Anuela Ristani, e besuara e Ramës në Bashkinë e Tiranës.
Ndoshta, kjo “luftë” e mbyllur brenda 24 orëve do të ketë shërbyer për Veliajn që të kuptojë se me Ramën nuk përballet dot askush brenda Partisë Socialiste, pasi kryeministri është nga ata që i lëshon të gjithë për interesat e tij personale, ndërsa bëhet edhe më i rrezikshëm kur i del përballë.
Dyshimet, përse ky “grusht shteti” i Veliajt
Në media, dolën dyshime se kjo luftë e papritur që Veliaj i shpalli Ramës ka të bëjë me zgjedhjet e 11 Majit, për shkak se kandidatët e besuar të Veliajt janë në listën e hapur.
Nëpërmjet pushtetit absolut mbi Bashki, ky institucion do të punonte për të siguruar vota për ata kandidatë, mes të cilëve përmenden Fatmir Xhafaj, Etien Xhafaj, Klotilda Bushka e Blerina Gjylameti.
Tashmë, duket se do të jetë edhe më e vështirë për këta kandidatë që të sigurojnë votat e duhura për të marr sërish mandatin, pasi Rama ka treguar që nuk i fal ata që tentojnë ta pengojnë në rrugën e tij.