Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Ilir Beqarajt, i cili është një nga të akuzuarit për vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ngjarje kjo e ndodhur një vit më parë në Larushk të Fushë-Krujës.
Hetimet e Prokurorisë kanë zbardhur rolin e tij, ku Beqaraj ka larguar atentatorët nga vendi i krimit duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen. Po ashtu ai ka vëzhguar disa herë ish-policin pranë banesës, ku dhe u ekzekutua në marsin e 2024-ës.
Ndaj tij rëndojnë tre vepra penale: ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, ‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’.
Njoftimi i Prokurorisë
Vrasja në Larush të Fushë Krujës, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin I.B. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ kryer në bashkëpunim
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin I.B. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim,‘Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve’ dhe ‘Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave’ parashikuar nga nenet78/1 e 23, 278/4 e 289/1 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 1944/2 të vitit 2024, për vrasjen e shtetasit G.B në fshatin Larush të Fushë Krujës, Prokuroria arriti të provojë se i pandehuri I.B. ka konsumuar veprën e mësipërme në rolin e ndihmësit.
Sipas prokurorisë ky shtetas me veprimet e tij aktive ka mundur të largojë autorët e vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen, kjo e dokumentuar edhe nga pamjet filmike të administruara nga prokuroria. Teksa u provua se ky shtetas në kohë të ndryshme me mjetin e tij ka qenë në afërsi të banesës së viktimës.
Nga hetimet rezultoi se në automjetin e përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegjes së automjetit me të cilin u krye vrasja, është përfituar profil gjenetik i shtetasve, I.B. dhe F.P. të cilët dyshohet se kanë pasur rol në vrasjen e shtetasit G.B.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë.