Mbi 5 kilogramë drogë në Tiranë, arrestohen dy persona, dyshohet se do ta transportonin drejt Durrësit

Një operacion antidrogë i zhvilluar në Tiranë ka çuar në sekuestrimin e mbi 5 kilogramëve lëndë narkotike, ndërsa dy persona kanë përfunduar në pranga.

Të arrestuarit janë Mirland Herri dhe Luftim Hoxha, të cilët dyshohet se ishin furnizues të rëndësishëm të lëndëve narkotike për shpërndarësit në zonën e Kamzës.

Sipas burimeve, hetimi ndaj tyre kishte nisur rreth dy muaj më parë nga strukturat e Antidrogës së Tiranës, pas informacioneve për aktivitetin e tyre të dyshuar kriminal.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 3 kilogramë kokainë dhe 2 kilogramë heroinë. Hetuesit dyshojnë se droga ishte siguruar në zonën e Institutit.

Në ditën e finalizimit të operacionit, policia kishte marrë informacion se dy të arrestuarit do të transportonin lëndën narkotike drejt Durrësit, me qëllim shpërndarjen e saj në doza më të vogla.

Policia e Tiranës po verifikon edhe aktivitetin e një tjetër grupi kriminal në zonën e Sukthit, i cili dyshohet se kishte lidhje dhe bashkëpunonte me të arrestuarit.

Ky operacion vjen në kuadër të goditjeve të njëpasnjëshme të strukturave të Antidrogës ndaj rrjeteve të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Edhe në muajin qershor, policia zhvilloi një tjetër operacion antidrogë, ku u sekuestruan 2 kilogramë kokainë dhe 1 kilogram heroinë, ndërsa u goditën persona të dyshuar si furnizues të rëndësishëm të tregut të narkotikëve.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes së drogës, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.