Qëllohet me breshëri plumbash godina e “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit

Qëllohet me breshëri plumbash ndërtesa e “CFO Pharma”, e cila është në pronësi të Nadir Caushollit.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur gjatë natës ku është qëlluar të paktën 20 herë në drejtim të kësaj godine, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës.

Ngjarja është raportuar nga punonjësit, të cilët kur kanë shkuar në godinë, kanë parë edhe fasadës e saj që ishte qëlluar me breshëri plumbash.

Pronari i “CFO Pharma”, Nadir Çausholli pritet të merret në pyetje lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë.

Aktualisht uniformat blu ndodhen në vendngjarje dhe është bërë sekuestrimi i kamerave të sigurisë të biznesit dhe zonës përreth. Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.

Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit“- njofton policia.