Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal në një komunikim për gazetarët pasi u paraqit në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” të dhënë në 3 Janar nga Apeli i GJKKO.
Jashtë dyerve të Prokurorisë së Posaçme, Berisha nuk i kurseu sulmet ndaj SPAK, që sipas tij amniston krimin elektoral. Berisha zbuloi për gazetarët edhe mesazhin që kishte lënë në procesverval.
“Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe SKAP-i i partisë, është krim kushtetues. Është atentati më më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira, Sali Berisha. Ua lash aty”, tha Berisha.
Ndërkohë u ndal edhe te arrestimi i kryebashkiakut, Erion Veliaj dhe porositë që ky i fundit jepte nga qelia për disa media në vend.
Po ashtu ai zbuloi edhe kurthin që sipas tij i ngritën Erion Veliajt në burg, pasi me urdhër të ministrit Ulsi Manja, i vendosën çimka kudo në qeli. Sipas Berishës, Manja i shkoi si mik Veliajt, por më pas urdhëroi vendosjen e përgjuesve në të gjitha ambientet.