Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme kandidatët e Partisë socialiste për deputetë në qarkun e Tiranës.
Ai tha para tyre se synimi i PS-së është që bashkë me votën e Diasporës të shkojë në rreth 1 milion vota, duke përsëritur rezultatin e vitit 2013, por që këtë herë me Kodin e Ri zgjedhor do të përktheheshin në më shumë mandate.
“Ne kemi një skuadër, që sot u jep të gjithëve mundësinë të zgjedhin. Kemi një skuadër, që të gjitha moshat, të dyja gjinitë, por në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat kanë mundësi të gjerojnë veten dhe të votojnë për veten ashtu sikundër si asnjëherë më parë, PS ka një skuadër që edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësues.
Ka dhe një karakteristikë të re, të shumëpritur për mua, që në skuadrën e 11 majit ne kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne pasi në një proces të gjatë ose më të shkurtër kanë parë se sa pa lidhje dhe sa e kotë është të besoj se mund të bëhet diçka e mirë për vendin dhe njerëzit duke dalë dhe kërkuar vota për ata që sot janë përballë nesh. PS është shumë më e gjerë se vetja, se s perimetri i anëtarësisë së vet dhe është shumë më e gjerë se sa shumëkush nga brenda nesh seç e percepton, sepse në fund të ditës jemi mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë dhe me votën e Diasporës mund të shkojë rreth 1 milion”, tha ai.
Kryeministri tha sërish se vota për PS-në është për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku shqiptarët do të kenë më shumë liri individuale dhe vendi ynë do të përfitojë shumë më shumë nga grantet e unionit.
“Ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment, dhe është nga ato momente, ku treni i historisë kalon përpara nesh, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk rri aty pafundësisht. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren. Duke parë të gjitha ndryshimet në mbarë botën, është ekzistenciale që ne të jemi në BE. Këtu ka një punë për të bërë dhe duhet t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti. Ndeshim njerëz që e marrin lehtë apo kanë perceptim të gabuar për futjen në BE dhe iu duket se është diçka me rendësi relative, por kjo është me rëndësi jetike për Shqipërinë. Duke hyrë në BE Shqipëria mund të sigurojë lirinë individuale. Liria individuale e shqiptarëve është e kërcënuar sa kohë janë jashtë BE. Ne jemi autorë të reformë në drejtës, dhe bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi. Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani. Pra vetëm kur të hyjmë në BE nuk do të ketë rëndësi të madhe se kush qeveris këtu. Nga pikëpamja e të gjitha standardeve të bashkëjetesës. Po kaq konkrete është mundësia që shqiptarët të pajisen me pasaportën europiane të Shqipërisë”, deklaroi Rama ndër të tjera.